zoom

Sport

KUPA/ Vllaznia e pandalshme, Teuta “heq qafe” Skënderbeun. Ja 8 çerekfinalistet që presin shortin

Vllaznia dhe Teuta janë dy skuadrat e fundit që prenë biletën për në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Shkodranët kaluan pa probleme Flamurtarin, duke e mundur 4-0. Në Shkodër, të besuarit e Osmanit mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, duke realizuar 3 herë.

Balaj shndërroi në gol një penallti, Mala dyfishoi shifrat, ndërsa Alivoda thelloi epërsinë. Në pjesën e dytë, Boshnjaku vendosi emrin në listën e golashënuesve.

Teuta “likuidoi” Skënderbeun falë suksesit 2-0 në “Niko “Dovana”. Portieri i korçarëve, Alia la skuadrën me një lojtar më pak në minutën e 41-të, teksa preku topin me dorë jashtë zonës.

Në superioritet numerik, “Djemtë e detit” zhbllokuan takimin me Dacin në të 49-tën dhe “vulosën” kualifikimin me Arifin pak më vonë.

Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, me ekipin e Edi Martinit që sheh përpara, me synimin për të garuar si pretendent deri në fund.

Tetë skuadrat çerekfinaliste janë, teksa do presin dhe shortin:

-Teuta

-Vllaznia

-Egnatia

-Erzeni

-Tirana

-Kukësi

-Laçi

-Partizani