zoom

Blog

Kulti i diplomës së papunësisë edhe një pyetje për ministren e Arsimit!

Në 30 vjet në shoqërinë tonë është ushqyer iluzioni se ne mund të ndryshojmë në mënyrë dramatike shpërndarjen e njohurive akademike edhe cilësinë e kapitalit human me anë të masivizimit të arsimit të lartë.

Miti që të gjithë duhet të kenë shanse të barabarta na ka çuar të besojmë edhe më pas aplikojmë marrëzinë se ‘Të gjithë duhet të shkojnë në universitet sepse kështu do të kenë të gjithë punë edhe paga të larta’.

Në fakt krejt e kundërta ka ndodhur.

Papunësia për njerëzit me arsim të lartë është 9.8% ndërkohë për njerëzit me arsim 9 vjeçar është 9.1%. Ndërkohë që tregu është  treguar gjithmonë e më bujar me njerëzit e paarsimuar duket se nuk ka asnjë reflektim nga ana e politikëbërjes, por jo vetëm.

1.Masivizimi i arsimit të lartë! 

Të djathtët besonin se masivizimi pa ulur cilësinë mund të arrihej nëse zbatonin mekanizmat e tregut në arsim.  Ata ishin të bindur se nëse përfshihej sektori privat në arsim presionet konkurruese do t’i nxisnin shkollat ​​dhe mësuesit të rrisin cilësinë dhe të nxjerrin studentë që do të shkëlqenin akademikisht.

Të majtët përdorën supozimin optimist por qartësisht të rremë që edhe nëse vazhdojmë ta konsiderojmë arsimin e lartë si një të drejtë universale por të korrigjojmë disa gjëra në mjedisin arsimor, si programet, numrin e shkollave, autonominë e universiteteve, ndërkombëtarizimin e universiteteve arrijmë të ofrojmë mundësi të barabarta për të performuar cilësisht në mjedisin akademik.

Të dy këto qasje anashkalojnë një variabël të rëndësishëm, atë që disa njerëz janë thjesht më të prirur ndaj njohurive akademike sesa disa të tjerë.

Bazuar në këtë optimizëm të gabuar, sot arsimi i ngjason aplikacionit të Google Map. Pra është shndërruar në një mjet që të ndihmon për të arritur në destinacionin ( atë të diplomimit ), por pa të dhënë asnjë indikacion pse vlen për ty të jesh në atë destinacion, krahasuar me destinacion tjetër që mund të ishte më i përshtatshëm për ty.

Kur mesatarja e hyrjes në universitet ulet në 6.5, rritet mundësia që tek çdo individ apo familje të krijohet perceptimi se duke u regjistruar në universitet po investon për vete apo për pjesëtarin e vet.

Një mashtrim ky, që kur përqafohet kolektivisht siç ka ndodhur në Shqipëri e transformon universitetin për studentët mediokër edhe të dobët nga një investim në një shpenzim të kotë, por në të njëjtën kohë ul vlerën e investimit për studentin e mirë.

2. Cilësia e arsimit të lartë!

Së dyti nuk u konsiderua asnjëherë nga politikëbërja fakti se arsimimi është një  shërbim që nuk u nënshtrohet të gjitha parimeve të ekonomisë së shkallës, gjë që vështirëson përmbushjen në të njëjtën kohë, të tre objektivave – cilësi, sasi dhe kosto e ulët.

Dhe si i tillë kompromisi është bërë në kurriz të cilësisë. Me numrat e larta të diplomimit dhe shpenzimet ulta, cilësia e arsimit të lartë vendas ka rrëshqitur në greminë, pa kthim. Ai nuk ushqen më as shpresën për prosperitet ekonomik personal e as zhvillimin ekonomik kombëtar.

3. Lidhja e arsimit të lartë me ekonominë edhe zhvillimin!

Papunësia e lartë tek të diplomuarit por edhe fakti që Shqipëria renditet në vendit 119-të në botë dhe e fundit në rajon në komponentin e “prodhimit të dijes dhe teknologjisë”, pra, me performancën më të ulët në krijimin, impaktin dhe shpërndarjen e dijes, tregon një handikap tjetër që padyshim pedagogët e arsimit të lartë, e njohin.

Njohuritë shkencore, pavarësisht se nga vijnë apo se ku janë prodhuar, mbeten të papërdorura, të varrosura apo magazinuara brenda kullës së fildishtë, të akademisë.

Sistemi linear i shkencës, i cili presupozohet të lidhë shkencën me ekonominë dhe zhvillimin shoqëror, nuk funksionon, sepse sektorit të shkencës i mungon pikërisht aftësia për të identifikuar nevojat e sektorit privat, pasi nuk ekzistojnë eco-sistemet e shpërndarjes dhe krijimit të njohurive të cilat mundësojnë transferimin e njohurive të nevojshme në ekonomi edhe anasjelltas nevojat e ekonomisë për shkencë. Lipset një lidhje direkte e shkencës me biznesin, edhe me gjithë aktorët e tjerë ekonomikë.

Një element tjetër që e pengon zhvillim është mungesa e dinamikës në drejtimin e universiteteve. Universitetet janë establishmenti më i madh ku për 30 vjet drejtohen nga të njëjtit njerëz dhe që nuk hapin garë. Thënë këtë, arsimi i lartë i atrofizuar nuk gjeneron përfitime ekonomike, as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë.

Edhe deri tani flasim vetëm për përfitimin e njohurive edhe jo për edukimin i cili nuk lidhet me aftësinë edhe njohuritë për të transmetuar edhe përthithur informacion por lidhet me aftësinë për të ngritur pyetjet e duhura.

Edhe pyetje që unë kam sot për ministren e arsimit është vetëm një : a ka pyetur ndonjëherë sa mundësi ka që strategjia e arsimit të lartë ku përfshihet edhe programi i ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të universiteteve që ajo proklamon të dështojë?

Nëse do të ndërmerrte një kërkim serioz për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, jam e sigurt që ministres nuk do t’i mbetej asnjë minutë kohë për fotografi por ajo mund t’i jepte vetes mundësinë të bënte diçka të mirë për të ardhmen e këtij vendi.