Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Orikum të Vlorës, ku Llogora Xhebroj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj, dhe më pas i dha fund jetës.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 50-vjeçari e ka dhunuar bashkëshorten në banesë dhe më pas e ka transportuar atë në urgjencën e spitalit, ku gruaja ka mbërritur pa shenja jete. Sipas dyshimeve paraprake, përveç dhunës fizike, viktima mund të jetë mbytur edhe me duar.

Pasi e ka lënë trupin e pajetë të bashkëshortes në urgjencë, burri është kthyer në banesë, ku më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri. Trupi i tij u gjet nga policia në ambientet e një garazhi pranë banesës.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve. Familjarët kanë deklaruar për policinë se kohët e fundit bashkëshortët kishin pasur probleme të vazhdueshme mes tyre dhe ndodheshin në prag të ndarjes. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, konfliktet e tyre nuk ishin raportuar më parë pranë autoriteteve.
Hetimet paraprake dyshojnë se mosmarrëveshjet familjare kanë qenë shkaku që çoi në vrasjen e 40-vjeçares dhe më pas në vetëvrasjen e bashkëshortit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë./Zoom.al