Aplikacion
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Orikumin e Vlorës, ku dyshohet se Llogora Xhebroj ka dhunuar për vdekje bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj, dhe më pas i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.
Sipas Policisë, rreth orës 13:30 urgjenca mjekësore ka njoftuar se një grua ishte gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesën e saj në Orikum. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se viktima, Sose Xhebroj, 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth banesës, në ambientet e një garazhi është gjetur trupi i pajetë i Llogora Xhebrojt, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri. Në vendngjarje është sekuestruar një armë pistoletë, e cila do të shërbejë si provë materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.