zoom

In Zoom

Kridens Meta, “Kali i Trojës” që përmbysi “kalanë” e Tiranës

Panorama që ofroi epilogu i ndeshjes Tirana-Bylis (2-2) ishte skandaloze, për të vënë duart në kokë.

Dhunë e frikshme, e pajustifikueshme… kur shikon tifozët që mësyjnë fushën; për një moment të duket sikur ishte një fushëbetejë.

Por ishte kaq gjithëpërfshirëse, sa të lë të kuptosh se turma kishte një arsye madhore për këtë reagim, edhe nëse nuk e ke parë ndeshjen.

Shkaku i gjithë këtij mllefi ishte gjyqtari me “eksperiencë” për ndeshje delikate, Kridens Meta.

Me klasin që e karakterizon, në minutat e para ai dha simptomat se do ta menaxhonte mirë lojën, por te Tirana frika ishte deri në palcë dhe ajo që bardheblutë i druheshin më shumë ndodhi në minutën e 74’.

Naiviteti i Behiratche, duke prekur lehtë me dorë Kaçorrin i dha mundësinë kryesorit të akordonte menjëherë penallti, pa hezitimin më të vogël.

Kaq mjaftoi që tifozët e Tiranës së bashku me stafin të shpërthejnë në protesta, madje deri në ofendime masive.

Në këtë moment më erdhi në kujtesë një batutë e një ish-arbitri, i cili për të përjetuar “emocionet” dhe shpërthimin e tifozëve në një ndeshje të Superligës para viteve 90’, me vetëdije të plotë akordoi gabim një rivënie anësore “për të ndezur” tribunën.

Në këtë rast, Meta nuk do donte ta bëntë këtë lëvizje, por si duket ishte i detyruar nga rrethanat. Madje edhe kur e dribloi trajneri Shehi duke i thënë të largohej nga fusha se do ta shihte episodin në VAR.

Një truk i zakonshëm dhe me shumë elegancë për të ç’tensoinuar situatën dhe për të vazhduar misionin.

“Pedagogu”, siç e thërrasin ndryshe disa miq, jo vetëm se është kancelar në një universitet, di si “t’i “trajtojë” ndeshje të tilla.

Kridens Meta ishte “Kali i Trojës” për Tiranën, por disa që mendojnë më hollë, po hedhin hipoteza për Odisenë.

Me një penallti shumë të diskutueshme, Meta shkatërroi imazhin e 35 javëve, se ky ishte një ndër kampionatet më të luftuara e me më shumë rivalitet.

Por gjitashtu edhe investimin e një klubi dhe mbase promovoi edhe një dënim shembullor nga Federata, që zakonisht qëndron si “xhelat”, kur do të zbatojë rregulloret e Kodit të Disiplinës.

Sigurisht në fund të 90’, Tirana meritonte më shumë, por edhe mund të bënte më shumë.

Nëse Bekaj dhe Përgjoni do të kishin shmangur gafat e tmerrshme dhe Hila me Najdovskin do kishin shënuar, episodi i penalltisë nuk do të ishte përcaktues.

Por siç kanë treguar edhe sezonet e fundit, duke sjellë në kujtesë “ngjarjet” në stadiumet e Vlorës, Korçës, Kukësit, Laçit dhe tani Rrogozhinës, titulli nuk fitohet vetëm në fushë… duhet edhe “bekimi”, por jo ai i Vllaznisë dhe Tirana nuk e kishte…/ Shkruar për Zoom.al nga A.F