zoom

Aktualitet

Konfindustria: Çmimi i naftës duhet të ishte nën 200lekë/litri

(Konfederata e Industrive të Shqipërisë) Konfindustria ka deklaruar se çmimi i naftës duhet të ishte nën 200 lekë/litri dhe jo me vlerën që është tani.

Ndër të tjera kërkohet edhe ndryshimi i mënyrës së ndërtimit dhe funksionimit të Bordit të Administrimit, sipas një Enti Rregullator të varur nga Kuvendi i Shqipërisë, me afat kohor të përhershëm dhe jo vetëm në rast krizash.

Konfindustria vlerëson si hap të parë pozitiv, por të pamjaftueshëm krijimin e Bordit të Administrimit të Cmimit të Karburanteve. Ndërtimi i Bordit ishte pranim i pjesshëm i pikës së parë në listën prej 11 kërkesash të Konfindustrisë drejtuar Kryeministrit Z. Rama në datën 10 mars 2022 për krizën e karburanteve. Vendimi ka njohur zyrtarisht praninë e grupimeve kartel në sektorin e karburanteve dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes rregullatore të shtetit kundër spekullimeve shkatërruese në vlera qindra milionë euro në dëm të biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare.

Konfindustria kërkon ndryshimin thelbësor të mënyrës së ndërtimit dhe funksionimit të tashëm Bordit të Administrimit.

Së pari, kërkohet ndërtimi sipas modelit të një Enti Rregullator të Karburanteve/ERRK si institucion i përhershëm në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo vetëm i përkohshëm në raste krizash. Tregu  Karburanteve me qarkullim vjetor me mbi 1,5 miliard $/vit është pothuaj 2,5 herë më i madh se tregu energjisë elektrike dhe mbi 5 herë më i madh, se tregu i telekomunikacionit, që kanë ente rregullatore të veçanta.

Së dyti, prania në bord e përfaqësuesve të kompanive, që duhet të jenë subjekt i kontrollit për spekullime në treg, është e paarsyeshme dhe përbën përplasje e pastër interesi. Sa më sipër u shfaq edhe në vendimin e parë të Bordit për çmimin e naftës në 217 lekë/litër të vlefshëm deri në datën 15 mars 2022. Mbështetur në të dhënat krahsimore të bursave ndërkombëtare çmimi i naftës duhet të ishte nën vlerën e 200 lekë/litër. Edhe pas vendimit të Bordit Shqipëria ka çmimet më të larta në Rajon përkatësisht 40-50 lekë/litër më shumë se Kosova dhe Maqedonia”- thuhet në deklaratë.