zoom

In Zoom

Koncesioni i vitit 1921 për cigaret, nga partneriteti te dhurimi i pasurive si afera e Portit të Durrësit

Koncesioni i vitit 1921 për cigaret, nga partneriteti te dhurimi i pasurive si afera e Portit të Durrësit

Më 10 gusht 1921, mes një situate të brishtë politike dhe ekonomike, qeveria jetëshkurtër e Hasan Prishtinës nënshkroi një kontratë koncesioni me një kompani britanike për prodhimin e cigareve dhe duhanit. Ajo autorizonte majorin Barnes dhe kolonelin Walace të themelonin Shoqërinë Anonime të Tabakëve me qendër në Tiranë.

Marrëveshja e asaj kohe, për nga përmbajtja, është një dëshmi se shteti i ri shqiptar kërkonte të mbronte interesin publik, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhej.

Kushtet e kontratës ishin të qarta:

“Qeveria shqiptare do të merrte gjysmën e fitimit. Ndalohej përdorimi i makinerive të çfarëdoshme për prodhimin e tabakëve. Tregtarëve dhe familjeve shqiptare që përdornin makineri të tjera për prodhimin e duhanit do t’i jepej një shpërblim dhe do t’u siguroheshin makineritë adekuate nga shoqëria. Për të fabrikuar një cigare luksi qeveria do t’i jepte leje kompanisë të importonte pa tarifë doganore një sasi duhani të pagrirë. Në përfundim të 21 viteve shoqëria detyrohej t’i jepte kompanisë pa pagesë të gjitha pajisjet dhe materialet e përdorura nga kjo industri. Përveç teknikëve dhe specialistëve, të gjithë punëtorët e kompanisë duhet të ishin shtetas shqiptarë. Në rast ndërprerjeje të marrëveshjes, kompania merrte rimbursim për makineritë dhe pajisjet e sjella. Shteti kishte të drejtë kontrolli dhe mbikëqyrjeje mbi të gjitha veprimet e kompanisë.”

Ky ishte një model që siguronte përfitim real për financat publike, mbronte tregun e punës vendas dhe vendoste një raport të drejtë midis investitorit dhe shtetit. Ishte një marrëveshje ku Shqipëria nuk ishte thjesht terren shfrytëzimi, por palë e barabartë.

Sot, mbi një shekull më vonë, filozofia e koncesioneve duket e përmbysur. Mjafton të shohim marrëveshjen për Portin e Durrësit, ku një kompani e huaj “offshore” merr falas përgjithmonë 800 mijë metra katror tokë në një nga asetet më të çmuara strategjike të vendit, me kushte që lënë pak ose aspak të ardhura direkte për buxhetin e shtetit në raport me vlerën reale të pasurisë publike.

Ndryshe nga kontrata e vitit 1921, në koncesionin e Portit të Durrësit me kompaninë “Eagle Hills” të biznesmenit arab Alabbar, fitimi nuk ndahet në mënyrë të barabartë, përfitimet financiare për shtetin janë të shpërndara në kohë të gjatë, punësimi i garantuar për shqiptarët nuk është prioritet pasi kompanitë e huaja kanë liri të sjellin punonjës të tyre pa kufizim, si rasti i kompanisë serbe që po bën ndërtimin e pallateve për t’u shitur për llogari të Alabbar; garancia e rimbursimit dhe e rikthimit të pasurisë publike në rast dështimi nuk është e qartë ose nuk ekziston, kushti për të ndërtuar portin e jahteve përpara pallateve personale të Alabbar nuk ekziston, kontrolli shtetëror është më shumë formal se real, me një marrëdhënie ku investitori i huaj ka dorë të lirë në menaxhim.

Në 1921, me një shtet të porsalindur, pa burime të mëdha financiare dhe me armiq në kufij, qeveria e asaj kohe arriti të negociojë një kontratë që e vendoste në pozitë të barabartë me një kompani të një fuqie botërore si Britania e Madhe. Ndërsa në 2025, një shtet me më shumë përvojë, burime dhe mundësi negociuese, pranon kushte ku interesi publik vjen pas atij të investitorit.

Kontrata e vititi 1921 shërben si reflektim mbi mënyrën se si shteti e koncepton rolin e tij, si mbrojtës i pasurisë publike apo ndërmjetës i interesave private.

Nëse në 1921 Shqipëria negocionte për të mbajtur gjysmën e pasurisë dhe kontrollin e plotë mbi të një koncesion, sot negociatat bëhen në restorantet e shtrenjta me fatura marramendëse që në fund i paguajnë qytetarët. /Zoom.al

Postime të lidhura