zoom

Politikë

Klodian Rjepaj lë qelinë dhe dëshmon në Komision: Udhëtimi me Ilir Beqajn në Itali dhe roli i Ilir Rrapajt

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ka lënë përkohësisht qelinë me leje të SPAK për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për koncesionet.

Gjatë marrjes në pyetje ka treguar për udhëtimin me ish-ministrin Ilir Beqaj në Itali ku kanë nisur një bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias.

Ai u shpreh se biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, ndërsa vetë Rjepaj ka qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim.

Diskutimi në Komision:

Klodian Rjepaj: Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend.

Albana Vokshi: Nga pala italiane kush ka qenë?

Klodian Rjepaj: Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Kemi bërë edhe një vizitë studimore në spitalin San Xhovani në Romë.

Albana Vokshi: Në të gjitha vizitat ka qenë edhe Ilir Rrapaj pjesë e delegacione dhe Umbro Staccini?

Klodian Rjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do mbante lidhjet  për të ndërtuar marrëveshjen me rajonin e Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim.

Albana Vokshi: Umbro Stacini?

Klodian Rrjepaj: Nuk mbaj mend që të ketë qenë pjesë e të gjitha delegacioneve.