zoom

Aktualitet

Këta janë të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Ndërkohë, mediat në vend kanë publikuar foton e dy prej personave që dyshohet të jenë të përfshirë.

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan. Dyshohen se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze nga Gllogjani.

Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Ndërkohë, lajmin e arrestimit të tre personave në Deçan e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit në një konferencë për mediat.

 “Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.

“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.

Më 26 nëntor në sulmin ndaj një autobusi të linjës Gjakovë-Deçan mbetën të vdekur 3 persona, dy nxënës dhe shoferi.