zoom

Aktualitet

Kastrati hyn në media. Blen televizionin “Euronews Albania”

Pas dominimit në tregun e karburanteve dhe dy koncesioneve të Aeroportit të Tiranës dhe Kukës, përmes të cilave zotëron të gjitha fluturimet ajrore në Shqipëri deri tani, Shefqet Kastrati ka vendosur të hyjë edhe në media.
Zoom.al mëson se “Kastrati Group” ka blerë pjesën më të madhe të aksioneve të televizionit të ri në treg, Euronews Albania.
Sipas të dhënave, Kastrati do të jetë aksioner me 60 % të vlerës së televizionit. Këto aksione i përkisnin biznesmenit shqiptar, Theodhori Çami, i cili e ngriti këtë television me ndihmën e kompanisë Euronews.
Vetë Euronews do të vazhdojë të mbajë 40 % të aksioneve që ka pasur që në nisje të kësaj sipërmarrje mediatike.
Media ishte i vetmi sektor i rëndësishëm ku Kastrati Group nuk kishte pjesë deri tani. Kompania merret kryesisht me importin dhe shitjen e naftës, një sektor problematik ndër vite ky përsa i përket çmimeve dhe po ashtu edhe cilësisë.
Ajo merret edhe me shitjen e makinave dhe prej disa vitesh ka hyrë në sektorin e ndërtimit, me disa pallate të larta në Tiranë, si dhe në sektorin ushqimor, me ujin Selita.

Kastrati Group, përveç koncesioneve të Aeroporteve të Tiranës dhe Kukësit, zotëron edhe koncesionin për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit, ndërsa po ndërton edhe portin e Limionit në Sarandë. /Zoom.al