zoom

Aktualitet

Kastrati humb gjyqin në Gjykatën e Lartë, Porti i Limionit mbetet nën sekuestro

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga kompania “Marina Bay Saranda”. Në mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të SPAK, vendosi sekuestrimin e “Bazës Ndihmëse të Limionit, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare.

Deri në vitin 2020 baza detare ishte pronë e ushtrisë shqiptare. Në korrik të atij viti qeveria miratoi një VKM për t’ia dhënë me qira kompanive të dy biznesmenëve të njohur, “Concord Investment” sh.p.k. e Artan Dulakut dhe “Kastrati Group” sh.a. e Shefqet Kastratit, të bashkuara në shoqërinë “Marina Bay Saranda” shpk.

Qirana ishte për 265,000 metër katrorë tokë, në një prej zonave më fitimprurëse të Sarandës, për të ndërtuar një kompleks vilash, hotelesh dhe një port turistik jahtesh për ankorimin e 400 mijë anijeve.

GJKKO kishte arsyetuar se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare.

“Marina Bay Saranda” e apeloi vendimin e GJKKO në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por e humbi çështjen. Më 16 maj shoqëria iu drejtua Gjykatës së Lartë, por edhe këtu humbi.

Kastrati dhe Dulaku çojnë në Gjykatën e Lartë sekuestrimin e Portit të Limionit

Kallëzimi në SPAK për këtë koncesion u bë nga ish-Zv.Komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, me argumentin se dhënia me qera është bërë në shkelje të ligjit, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes. Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” -saktëson Meçollari në padinë e tij.

Në SPAK është thirrur për këtë çështje Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi në kohën e dhënies së koncesionit ajo ishte Ministre e Mbrojtjes. Po kështu SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje edhe ish -shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bardhyl Kollçakun dhe funksionarë të tjerë të lartë të FA. /Zoom.al

Ministrja Olta Xhaçka paraqitet sërish në SPAK për skandalin e portit të Limionit në Sarandë