Aplikacion
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të qartë se qeveria nuk ka në plan të heqë taksën e qarkullimit, pavarësisht debatit të shtuar për çmimet e karburanteve.
Pas mbledhjes së qeverisë, ai u ndal te situata në tregun e naftës, duke theksuar se politika fiskale aktuale nuk do të preket në kushtet e një periudhe të ndjeshme ekonomike. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që çmimet të reflektojnë ndryshime përmes mekanizmave të monitorimit, si Bordi i Transparencës.
Karakaçi sqaroi se mënyra aktuale e aplikimit të taksës së qarkullimit, e lidhur me sasinë e karburantit të konsumuar, konsiderohet më e drejtë. Sipas tij, kjo skemë bën që barra fiskale të shpërndahet në mënyrë proporcionale, duke ngarkuar më shumë ata që përdorin më shumë mjetet.
Ai theksoi gjithashtu se modele të ndryshme aplikohen në vende të ndryshme, ku disa shtete përdorin taksë fikse vjetore për automjetet, ndërsa në Shqipëri kjo lidhet drejtpërdrejt me konsumin.
Sa i përket komponentëve të tjerë të çmimit, si akciza apo elementë të tjerë fiskalë, ministri u shpreh se çdo ndërhyrje e mundshme do të varet nga zhvillimet në tregun e karburanteve, duke nënvizuar se për momentin nuk parashikohen ndryshime të menjëhershme.
“Dua të theksoj një element, shpesh ka një keqkuptim për taksën e qarkullimit, çdo shtet e ka atë, por mënyra si vilet është në varësi të praktikave të shteteve përkatëse. Ka shtete që e mbajnë si taksë vjetore të mjeteve të transportit dhe ka si Shqipëria që e ka taksën e qarkullimit me çdo litër karburant të konsumuar.
Vlerësimi i qeverisë shqiptare, siç unë e kam thënë edhe më përpara, është që vjelja e taksës së qarkullimit nga konsumi i litrave të naftës është më proporcional, sepse paguan më shumë ai konsumator apo klient që harxhon më shumë për mjetin apo përdor më shumë litra.
Kurse për tabelën fiskale dhe akcizën, i qëndroi mendimit se “implikimet fiskale në kohë krize nuk duhen prekur”, tha Karakaçi./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari