Aplikacion
Këngëtari Stefi Prifti ka folur si rrallë herë për jetën e tij private, duke treguar vështirësitë me të cilat është përballur, nga divorci i prindërve kur ishte fëmijë, tek vdekja e bashkëshortes së tij.
Ai tregoi se me Marinën ka qenë dashuri me shikim të parë dhe ndarja e saj nga jeta ka qenë shumë e vështirë për të.
Stefi Prifti rrëfeu se e ka vuajtur shumë vdekjen bashkëshortes, por që forcën e gjeti tek vajzat e tij dhe muzika.
“Ka qenë dashuri më shikim të parë. Kemi pasur sakrifica për hatër të profesionit tim. Marina ka sakrifikuar shumë nga jeta e saj. Ikëm, i lamë të gjitha këtu. Nisëm një jetë të re. Ndarja nga jeta ka qenë e vështirë, nuk shprehet me fjalë. Mos i ndodhtë askujt, por gjërat nuk janë në dorën e njeriut.
Kam vuajtur shumë vite më pas, jam përpjekur që energjitë i mia, stacioni im pas humbjes së Marinës të ishin vajzat, kështu e kam kaluar. Më ka ngushëlluar prania e tyre. Që të jem i vërtetë, edhe muzika të mban gjallë, arti është i magjishëm. Ata që janë muzikante dhe që e duan më kuptojnë shumë mirë. Arti të jep forcë, të mban gjallë në çdo situatë”, është shprehur ai në “Se luan topi”.
Ai ka rrëfyer edhe divorcin e prindërve të tij kur ishte vetëm 4 vjeç. Stefi Prifti tha se nëna e tij vuajti shumë në atë kohë pasi i duhej të rriste 3 fëmijë e vetme.
Këngëtari u shpreh se nuk ka shumë informacion mbi marrëdhënien e saj me babain, pasi nëna e tij u largua shumë shpejt nga jeta.
Ai theksoi se babait nuk ia ka falur kurrë dhe kur janë përballur me njëri-tjetrin nuk kanë folur me njëri-tjetrin.
“Prindërit u ndanë kur unë isha 4 vjeç, motra 2 dhe Endri ishte në pelena. Nëna jonë vuajti në ato vite, ishte heroinë më tre fëmijë vetëm, por kemi pasur mbështetjen e familjarëve. Sa i përket lidhje së saj më babain tim nuk kam njohuri, sepse mamaja u largua shpejt nga jeta. Nëse do jetonte do e gjeja kurajën ta pyesja dhe të dija më shumë. SI është njohur me babain, si janë takuar, çdo gjë. Me babain nuk kemi pasur kontakt. Ne qëndruam në krah të nënës. Edhe sot, gjithë e drejta ishte në krah të nënës.
E kam takuar. Në një kohë bëja një stazh dhe më qëllonte që udhëtoja çdo ditë në autobus me babin tim, por nuk flisnim. Një ditë kemi qenë ulur përball dhe nuk folëm. Më kërkoi që të takoheshim, por pranova, nuk e kisha falur. Prindi është më i dashur dhe më i pjekur për të marr vendime për fëmijët e vet, kjo është ajo që kam të vështirë t’ja fal”, tha ai.