zoom

Sport

Juve si “shqitet” Interit, fitore me vuajtje dhe përmbysje në frymën e fundit

Juventus fiton me vuajtje, polemika dhe përmbysje, teksa s’i shqitet Interit, që ruan distancën me 2 pikë dhe u shpall kampion dimri.

14 pikë plus vendit të katërt, në letër zona Champions për Juven duket një formalitet.

“Zonja e Vjetër” mbyll me fitore gjysmën e parë të sezonit, festoi përballë Salernitanas, por tre pikët erdhën vetëm në limite, këtë herë ekipi i Allegrit, ndryshe nga ndeshja në Kupë pak ditë më parë, vuajti shumë.

Salernitana i vendosi në vështirësi, madje ishte ekipi sard që kaloi i pari në avantazh me një aksion të bukur në minutën e 39-të të finalizuar nga Maggiore.

Mesfushori “azzurr” u kthye në protagonist absolut pasi në pjesën e dytë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë Salernitana-n me dhjetë lojtarë. Juve shtoi presionin në zonë mike dhe në minutën e 65-të Iling Junior me një predhë brenda në zonë barazoi shifrat në 1-1.

Në shtesë, në minutën e 91-të, Vlahovic u shërbye në zonë, me kokë sulmuesi serb dërgoi topin në rrjetë duke bërë që tifozët të shpërthenin në festë. Ky gol i dhuroi Juves një trepikësh të artë, i jep qetësi pasi prezenca në Champions tashmë duket e sigurt, kthehen me kokë të plotë t’i ushtrojnë presion Interit në garën për titull në Serie A:

“Forcë e bukur”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë. “Hard Juve”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport. Pavarësisht shifrave, sërish Allegri nuk pranon të flas për titull: “Ishte e rëndësishme të thellonim diferencën me vendin e katërt. 14 pikë plus janë një avantazh i rëndësishëm, janë 5 ndeshje, tani të mendojmë për Kupën e Italisë”, u shpreh Allegri.

Juventus ka aktualisht 46 pikë, kurse milanezët e Interit kryesojnë me 48 pikë.