zoom

Lajme

“Jep vetë dorëheqjen”- Ultimatumi i Ramës pasi refuzoi të shkarkojë drejtorët, kryebashkiaku i PS e sfidon: S’do e bëj

“Jep vetë dorëheqjen”- Ultimatumi i Ramës pasi refuzoi të shkarkojë drejtorët, kryebashkiaku i PS e sfidon: S’do e bëj

Ergest Dule, kryetari i bashkisë së Konispolit, ka reaguar pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për shkarkimin masiv të drejtorëve të bashkive në të gjithë vendin.

Ai ka dalë hapur kundër këtij urdhri, duke theksuar se në administratën e Konispolit punohet me përkushtim dhe se nuk sheh arsye për largime.

Refuzimi i tij për të zbatuar vendimin solli një përplasje të drejtpërdrejtë me kreun e qeverisë, i cili, sipas burimeve, iu drejtua atij me një ultimatum të qartë: “Nëse nuk i shkarkon, atëherë jepe ti dorëheqjen”.

Por duket se Dule nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në një deklaratë publike, ai theksoi se administrata aktuale ka sjellë rezultate të prekshme për qytetarët e Konispolit dhe nuk ka arsye që të preket.

“A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Jo. Por punonjësit varen nga drejtuesi. Nëse drejtuesi ka pasion, edhe stafi e ndjek me përkushtim. Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto – dhe çdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo,” tha ai.

Ai e konsideroi nismën e qeverisë për “ripërtëritje të administratës” si të nevojshme, por shtoi se çdo vlerësim duhet bërë në bazë të performancës reale, jo me vendime politike.

“Nëse administrata punon mirë dhe është në shërbim të qytetarit, nuk ka vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë. Opinioni i qytetarëve është vlerësimi më i mirë për ne,” u shpreh Dule.

Komenti i plotë

Përshëndetje të gjithëve! Ju falënderoj për interesimin dhe komentet por ju garantoj që nuk ka asnjë debat në lidhje me shkarkimin e administratorëve.

Kjo është një nisëm për ripërtëritjen e administratës, për një rritje në cilësinë dhe sasinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Me këtë administratë kemi bërë plot punë të mira për komunitetin, pastrim territori, kanale kullues e vaditës, kemi shuar zjarre, kemi bere ndriçim publik ne 100% të territorit, kemi shtruar rrugë rurale, infrastrukturë bujqësore, kemi bërë projekte, kemi pritur e trajtuar qindra kërkesa/ankesa, kemi asistuar në aplikime të ndryshme e-albania, kemi organizuar aktivitete kulturore, mirëmbajtje rrugë rurale, mirëmbajtje e investime në shkolla etj etj.

Ka akoma për të bërë? Patjetër që po.

A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Po ju them unë që jo. Por punonjësit varen dhe angazhohen nga ai që i drejton. Nëse drejtuesi nuk ka pasionin, dëshirën dhe dashurinë për vendin e vet atëherë dhe punonjësi do bëje aq sa për t’u dukur.

Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto dhe çdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo. Këtu na duhet ndihma juaj dhe opinioni juaj. Nëse administrata punon mirë dhe është në shërbim të qytetarit ska vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë. Opinioni juaj vlen dhe është vlerësimi i performancës për ne. Mos nguroni të shprehni mendimin tuaj për secilin nga punonjësit e bashkisë Konispol, na shkruani për çdo problematikë. Shpresoj që kjo nisëm të vazhdojë në çdo zyrë shteti ku i shërbehet qytetarëve!