Aplikacion
Gjykata e Elbasanit vendosi këtë të shtunë që të dashurën e të Nuredin Dumanit ta linte në masën detyrim paraqitje. 20-vjeçarja nga Kosova, duket se e bindi gjykatën që nuk ishte në dijeni të së shkuarës së errët të partnerit të saj, të cilit siç duket nuk i dinte as emrin e vërtetë. Kështu rezulton edhe në dëshminë që ajo ka thënë para hetuesve.
Në dëshmi, Mirjetë Hajdini thotë se Dumani iu ishte prezantuar me emrin Arvit Spahiu. Ishin njohur në Kosovë, ku ai i kishte thënë se ndodhej për punë. Për të hequr çdo dyshim, Dumani i kishte treguar 20-vjeçares edhe një mjet identifikimi me këto gjeneralitete.
Bashkëjetesa e tyre nisi në Gjilan, rreth 1 muaj e gjysmë pasi ishin njohur. Dumani madje kishte takuar edhe prindërit e 20-vjeçares. Sa i takon familjes së tij, ai i kishte thënë se ata jetonin në Francë, ndaj dhe ajo nuk mund t’i takonte.
Hajdini po ashtu në dëshmi tregon se kur nisën bashkëjetesën kishte zbuluar dhe se i dashuri i saj mbante armë zjarri me vete. Arma ishte gjithmonë e njëjta. Ai e mbante gjithnjë në brez kur dilnin, ndërsa kur ishin në shtëpi e linte në dhomën e gjumit. Kur 20-vjeçarja e pyeste përse e mbante armën me vete ai i jepte gjithmonë të njëjtën përgjigje: “Je e re, nuk ke përse t’i dish disa gjëra”.
Përveç masës për 20-vjeçaren, Gjykata e Elbasanit dha këtë të shtunë masën arrest me burg edhe për shokun e Dumanit, Henrik Hoxhaj, i cili u la në arrest me burg. Ai u arrestua më 29 Mars së bashku me të shumëkërkuarin Dumani në një apartament në Fier./Tv Klan