Aplikacion
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duke theksuar se nëse vazhdon të godasë civilët izraelitë me raketa, “Teherani do të digjet”.
Sipas Katz, Khamenei po i merr peng qytetarët e vet duke i ekspozuar ndaj pasojave të veprimeve ushtarake.
“Diktatori iranian po i merr peng qytetarët e Iranit, duke sjellë një realitet në të cilin ata, dhe veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të rëndë për dëmin flagrant që u është shkaktuar qytetarëve të Izraelit”, tha ai.
Ky paralajmërim vjen në një moment përshkallëzimi të ndërsjellë të kërcënimeve ushtarake, ku Irani ka bërë thirrje për ndalimin e bisedimeve bërthamore me SHBA-në, duke e konsideruar dialogun të pajustifikueshëm për sa kohë që sulmet izraelite ndaj objektivave iraniane vazhdojnë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, e ka quajtur të papranueshëm vazhdimin e dialogut bërthamor, duke thënë se sulmet “barbare” të Izraelit po e bëjnë të pakuptimtë çdo negociatë. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka akuzuar Uashingtonin për mbështetjen e veprimeve ushtarake të Izraelit.
Përplasja ka sjellë edhe pasoja të drejtpërdrejta në terren. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite konfirmoi për “AFP” se shtatë ushtarë izraelitë u plagosën lehtë nga një raketë iraniane që goditi Izraelin qendror gjatë natës.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar gjithashtu edhe bazat perëndimore në rajon, përfshirë ato të Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Francës, për pasojat e mundshme nëse situata përshkallëzohet më tej./ Zoom.al