Aplikacion
mNjë tjetër skemë mashtrimi e Florian Gjergjit, të riut nga Shkodra që dyshohet se ndodhet në Gjermani, është zbukuar. Këtë herë, viktimë e mashtrimit ka rënë një kambist nga Durrësi, i cili ka humbur 60 mijë euro.
Sipas informacioneve, Gjergji ka kontaktuar kambistin përmes mesazheve, duke iu prezantuar si kushëri i një biznesmeni të njohur. Duke përfituar nga fakti se kambisti kishte njohje me familjarin e biznesmenit, ai ka arritur ta bindë se kishte nevojë urgjente për një shumë parash.
Mësohet se 60 mijë eurot i janë kërkuar kambistit me udhëzimin që t’ia dorëzonte një personi pranë një qendre tregtare. Pas marrjes së shumës, korrieri është larguar në drejtim të Elbasanit, ku dyshohet se është takuar me një person tjetër, i cili kishte mbërritur me taksi nga një fshat i zonës.
Sipas hetimeve paraprake, pas dorëzimit të parave, personi i dytë është larguar me shumën, ndërsa policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy personat e përfshirë në skemën e dorëzimit të parave. Gjatë dëshmive të tyre, ata kanë deklaruar se ishin angazhuar nga Florian Gjergji.
Mashtrimi është zbuluar vetëm pasi kambisti ka kontaktuar mikun e tij, të afërmin e biznesmenit, për ta njoftuar se kishte përmbushur porosinë. Në atë moment ai ka mësuar se askush nuk i kishte kërkuar para dhe se kishte rënë pre e një mashtrimi të mirëorganizuar.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për lokalizimin e Florian Gjergjit, i cili dyshohet se ndodhet jashtë vendit.