Aplikacion
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur hapur mosdakordësinë e saj me mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në Europë, duke e konsideruar këtë një zhvillim që nuk përputhet me qëndrimin e saj për sigurinë ndërkombëtare.
Gjatë një vizite zyrtare në Jerevan, Meloni komentoi diskutimet mbi planet e Shteteve tl Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e një pjese të trupave nga bazat europiane, përfshirë edhe ato që ndodhen në territorin italian. Ajo theksoi se një hap i tillë kërkon reflektim të thellë, pasi prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë në kontinent.
Sipas saj, vendet europiane duhet të rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe të jenë më të përgatitura për sfidat e sigurisë, por kjo nuk do të thotë se duhet të dobësohet prania e aleatëve strategjikë.
Meloni nënvizoi gjithashtu rolin aktiv të Italisë në misionet ndërkombëtare, duke kujtuar angazhimin e vendit në operacione të rëndësishme si në Afganistan dhe Irak, edhe në raste kur interesat e drejtpërdrejta kombëtare nuk ishin në rrezik.
“Ne duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe të rrisim kapacitetin tonë të reagimit. Kjo është një zgjedhje që nuk varet nga unë, por personalisht nuk pajtohem me të,” deklaroi Meloni, duke shtuar se Italia ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. “Italia ka kontribuar në misione ndërkombëtare edhe kur interesat e drejtpërdrejta kombëtare nuk kanë qenë të rrezikuara, si në Afganistan dhe Irak”, tha Meloni./ Zoom.al