zoom

Aktualitet

Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë kapet me 50 kg drogë në Mal të Zi

Policia e Malit të Zi kap me 50 kg drogë Burim Rrecin, ish-sekretarin e Ministrisë së Tregtisë së Kosovës.

Media malazeze “Vijesti” ka raportuar se ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci, është arrestuar sot në pikën kufitare Debeli Brijeg, pasi në makinën e tij janë gjetur rreth 50 kilogramë marihuanë.

Sipas informatave Rreci është arrestuar herët në mëngjes, në terminalin e daljes.

Gjatë ditës së sotme nga Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e të Hyrave dhe Doganave kanë njoftuar zyrtarisht se zyrtarët e tyre gjatë kontrollit të një veture të pasagjerëve Audi me targa të Kosovës, të drejtuar nga Rrenci, kanë gjetur shtatë pako me marijuanë.

“Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave të mëngjesit të sotëm rreth orës 03:30 parandaluan kontrabandën e lëndës bimore e dyshuar si lëndë narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë. BR është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të paautorizuar. Prodhimi, posedimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftim.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me 9 shtator të 2020-ës kishte marr vendim për pezullim nga puna të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Burim Rreci.

Arsye për pezullimin e tij nga kjo pozitë, sipas Krasniqit, është “neglizhenca” dhe “mosbashkëpunimi” nga ana e Rrecit.

“Bazuar në Legjislacionin në fuqi, si dhe për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e z. Burim Rreci, u vendos si në diapozitivin e këtij vendimi. Kjo masë është masë parandaluese dhe nuk paragjykon rezultatin final të vendimit”, thuhej në arsyetimin e këtij vendimi të nënshkruar nga ish-ministri Krasniqi.

Rreci ka pasur disa hyrje-dalje në këtë funksion. Ai u emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së në vitin 2018, derisa në qeveri ishte Ramush Haradinaj. Ky emërim ishte kundërshtuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe nga Ambasada Britanike, pasi ai nuk i kishte plotësuar kushtet për këtë pozitë.

Ndërkaq, më 11 nëntor të vitit 2019, Burim Rraci sërish bëhet lajm, pas një incidenti që kishte ndodhur në ministrinë ku ai ishte i angazhuar. Sipas informatave, Rreci ishte sulmuar në zyrën e tij fizikisht nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

Pas këtij incidenti, Krasniqi ishte pezulluar nga puna.

Ndërkaq, Rraci kishte qëndruar në pozitën e Sekretarit të MTI-së deri në shkurtin e 2020-ës, kur Qeveria “Kurti” e kishte vënë atë në listë rezervë, bashkë me disa sekretarë tjerë.

Mirëpo, ky vendim i qeverisë “Kurti” u anulua me ardhjen e qeverisë “Hoti”. Në muajin qershor, në mbledhjen e rregullt të qeverisë së Kosovës, me propozim të ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi, u kërkua rikthimi në detyrë i Rrecit.