zoom

Lajme

Ish-ministri socialist sulmon Ramën: Administrata, zgjatim i partisë! Drejtorët në selinë e PS në orar pune!

Ish-ministri socialist sulmon Ramën:  Administrata, zgjatim i partisë! Drejtorët në selinë e PS në orar pune!

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka lëshuar kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke ngritur shqetësimin për mungesën e ndarjes mes politikës dhe administratës publike në Shqipëri.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga qendra rinore “Arka” në Shkodër, Bushati u shpreh se në qeverisjen aktuale nuk ekziston më një vijë e qartë ndarëse mes shtetit dhe pushtetit politik.

Ai solli si shembull një takim partiak të zhvilluar së fundmi nga Rama me drejtues të administratës publike gjatë orarit zyrtar të punës.

“Çfarë më bëri përshtypje? Dje-pardje, kryeministri kishte mbledhur në një takim drejtuesin politik të qarkut të Tiranës, ku një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin drejtorë institucionesh shtetërore, që hynin në selinë e partisë në orar zyrtar pune. Pra, një tregues i qartë se nuk ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit.

Ndërkohë që drejtori është aty për t’i shërbyer, gjatë 8-orëshit të punës të paktën, socialistit, demokratit, ballistit etj. Pas atij 8-orëshi mund të bëjë çfarë të dojë.

Në rastin e Shqipërisë nuk është çështje ndryshimi sistemi, por garantimi i fushës së lojës dhe kapaciteti, apo gatishmëria, për të pranuar humbjen e pushtetit. Në shoqëri që nuk kanë kulturë demokratike, rotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit për të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Ne duhet të ndajmë administratën e shtetit nga partia”, – u shpreh ish-ministri socialist.

Postime të lidhura