Aplikacion
Sekuestrohen pasuri kriminale me vlerë 4 milionë euro në Verona, ku pronar i tyre sipas SPAK ishte Suel Çela.
Bëhet fjalë për dy ndërtesa në Verona, njëra prej të cilave me vlerë 3 mln euro që kishte 30 zyra dhe dyqane, një llogari bankare, ku depozitoheshin qiratë e tyre edhe një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit me kuota 100% në Itali.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, BKH dhe Guardia di Finanza u konstatua se këto pasuri kanë ardhur nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika e Jugut drejt tregjeve evropaine.
Paratë dërgoheshin nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të Suel Çelës dhe vëllait të tij Marjo Çelës, tek një shoqëri pasurish të paluajtshme në Itali përmes bankës, dhe më pas investoheshin në ndërtim, në rikonstruksionin e ndërtesave dhe më pas jepeshin me qira.
Suel Çela është shpallur në kërkim ndërkombëtar, kurse vëllai i tij u arrestua në Verona pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge si i përfshirë në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Ndaj Marjo Çelës edhe GJKKO ka lëshuar një vendim për veprat penale për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, trafik ndërkombëtar droge si dhe pastrim parash.