Aplikacion
“Zoom.al” realizoi një intervistë me një nga anëtarët e komisionit, deputetin demokrat Belind Këlliçi, rreth problematikës së inceneratorëve dhe pengesave që po has komisioni.
Deputeti Kelliçi thotë se inceneratorët nuk ekzistojnë, por ekziston vetëm vjedhja përmes tyre.
Ai denoncon mënyrën e tenderimit të inceneratorëve dhe thotë se sot të gjithë qytetarët e Tiranës bashkë paguajnë 51 mijë euro në ditë për pastrimin e qytetit dhe për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe kjo skemë kriminale ka shkuar edhe në rritjen e tarifave me rreth 15% e taksave vendore për pastrimin e qytetit.
Problemi më i madh sipas tij qendron tek fakti se tre banka të nivelit të dytë nuk i kanë kthyer përgjigje komisionit hetimor edhe pse e kanë detyrim ligjor t’i përgjigjen me informacion komisionit.
Deputeti i Partisë Demokratike foli edhe për presionin që i është bërë medias në lidhje me këtë çështje, konkretisht BIRN, ABC News TV, CNA.al, Syri TV dhe Ora News duke pasqyruar edhe njëherë sfidat primitive me të cilat përballet media shqiptare, ku liria e saj është standart i panegociueshëm për të qënë pjesë e Bashkimit Europian.
Inceneratorët nuk ekzistojnë. Vjedhja ekziston, me procedure madje. Inceneratorët janë imagjinarë si Aeroporti i Vlorës apo si ishulli turistik në lumin Osum. Më lejoni të zgjatem dhe t’ju paraqes historikun e zhvillimit të kësaj ngjarjeje, në emra të përveçëm dhe shifra.
Në shtator të 2016 kryetari i Bashkisë Tiranë njofton me pompozitet se do të vijë në Tiranë një kompani prestigjoze hollandeze që do merret me trajtimin, grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, ku do të ndërtojë një incenerator bazuar në përvojën e saj të jashtëzakonshme në këtë fushë dhe do të punësojë qytetarë nga zona e Kombinatit dhe nga kryeqyteti. Pra, do të bëjë një investim model në kryeqytet. Ky projekt i ofrohet Ministrisë së Mjedisit në vitin 2016 për një incenerator në Tiranë me vlerën 128 milion euro. Ministria e Mjedisit kthen përgjigjen pozitive më 28 gusht 2016 dhe vetëm 3 ditë më pas në tavolinën e Ministrit të atëhershëm vjen propozimi i kompanisë Integrated Energy BV, pra kjo kompania hollandeze e cila kishte eksperiencë, që ishte prej vitesh në këtë fushë dhe operonte në pronësi të shtetasit Klodian Zoto, që në këtë rast paraqitet si hollandez. Klodian Zoto është i njëjti person që së bashku me Mirel Mërtirin dhe me partneren e këtij të fundit Stela Gugallja, kanë marrë para në inceneratorin e Elbasanit, kanë marrë para në inceneratorin e Fierit dhe shfaqen sërish së bashku me shtetasin italian Ernesto Granelli. Ky projekt i propozuar përcakton që do të punohen 700-800 ton mbetje, pra rreth 292 mijë ton mbetje në vit me një sipërfaqe sheshi rreth 120 hektarë për një periudhë 30 vjeçare. Në 5 shtator 2016 lëshohet urdhëri nga Ministria e Mjedisit për ngritjen e komisionit të koncesionit dhe më pas i dërgohet shkresa zyrtare Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Energjitikës. Në prill 2017, qeveria shqiptare me VKM i jep një bonus prej 6 pikësh kompanisë Integrated Energy BV, meqënëse kishte propozuar një ofertë të pakërkuar dhe në datë 24 prill shpallet në buletinin e prokurimit publik tenderi i hapur për PPP. Kjo ndodh 16 ditë përpara përfundimit të dorëzimit të ofertave. Në qershor 2017 pasi u shpall gara për një koncesion të pakërkuar, ai fitohet sigurisht nga kompania e vetme në garë, Integrated Energy BV, me vlerë 128 mln euro pa tvsh. Kompania si në rastet e tjera kishte një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh dhe administrohej nga Klodian Zoto, që njëkohësisht administron dy kompanitë e tjera të lidhura me inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit. Kjo kompani themelohet më 31 gusht 2017 dhe fiton po atë ditë kontratën 128 mln euro. Në lidhje me procedurat vërejmë se kontrata për inceneratorin e Tiranës është për të gjithë Qarkun e Tiranës dhe sipas dokumenteve rezulton se Ministria e Mjedisit njeh për kryetar të Qarkut Tiranë dhe jo si Kryebashkiak Erion Veliajn. Pse? Sepse inceneratori i Tiranës në parim duhet të trajtojë mbetjet e bashkisë Tiranë, Bashkisë Kamëz, Bashkisë Vorë dhe Bashkisë Kavajë dhe në këtë rast lind pyetja se pse nuk është marrë mendimi i tre Kryetarëve të bashkive të tjera në atë periudhë. Pavarësisht faktit se leja mjedisore është anulluar, sërish kompania vijon të paguhet. Unë dua të theksoj faktin se sot të gjithë qytetarët e Tiranës paguajnë 51 mijë euro në ditë për pastrimin e qytetit dhe për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Kjo skemë kriminale ka shkuar edhe në rritjen e tarifave me rreth 15% e taksave vendore për pastrimin e qytetit.Vlera e inceneratorit të Tiranës shkon në 430 milionë euro, konkretisht kostoja e ndërtimit është 131,248 euro dhe kostoja e operimit 299,399 euro. Përpos kësaj, ka edhe një plan tjetër korruptiv. Në Prill 2020, Bashkia Durrës mbushet nga plehrat pas vendimit të qeverisë për të mbyllur landfillin e Porto Romanos. Ndërkohë që Bashkia Durrës kishte planifikuar ndërtimin e disa landfilleve të tjera në zonën e Sukthit që nuk realizohen. Ka një vendim të KKT, nr.6, datë 12 Janar 2020, “Për miratimin e lejës së infrastrukturës, mbyllja dhe depozitimi i lëndëve të ngurta dhe ndërtimi i Eco Park me vendndodhje në Bashkinë Durrës”. Ka një arsye përse bëhet kjo: sepse Bashkia Durrës asgjëson rreth 75 mijë ton mbetje për vit, dhe tarifa vjetore e koncesionarit të Sharrës është 3 milionë euro, që për 20 vite do të shkojë 60 milionë euro. Kryeministri Rama është shprehur pro nënshkrimit të një kontratë me inceneratorin e Tiranës, për të inceneruar edhe mbetjet e Durrësit. Në qershor 2021, inceneratori i Tiranës refuzon që të marrë plehrat nga bashkia Durrës, duke i lënë ato në kontenierë dhe duke e kthyer Durrësin në mënyrë të qëllimtë në një qytet të mbushur me plehra në fillim të sezonit turistik. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në qershor 2021 u vendos që Bashkia Durrës t’i kërkojë qeverisë financimin dhe ndërtimin e një stacioni transferimi për plehrat, gjithashtu subvencionimin e tarifave për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Në gusht 2021, para pak muajsh, qeveria shqiptare miratoi një fond prej 32 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për të mbështetur Bashkinë e Durrësit, që kjo e fundit të paguajë inceneratorin e Tiranës. Sipas të dhënave nga vetë Ministria e Mjedisit, rezulton se inceneratorët e ndërtuar në Fier, Tiranë dhe Elbasan janë aq të mëdhenj sa që duhet të furnizohen me plehrat e rajonit për të përmbushur nevojat e kapaciteteve të tyre. Nëse inceneratori i Elbasanit do të punojë vetëm në Elbasan me kapacitet të plotë, do të incenerojë çdo mbetje që shkon në incenerator dhe kapaciteti është për 4.3 milionë banorë, sa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut së bashku. Përfytyroni nëse do funksionojnë me kapacitet të plotë të tre inceneratorët.
Jam angazhuar në terren, në radhë të parë për të çuar përpara drejtësisë shkaktarët e vdekjes së të miturit Ardit Gjoklaj, familja e të cilit banon në zonën time zgjedhore. Së dyti, e gjithë kjo histori kriminale e ka zanafillën në landifllin e Sharrës, po në zonën që unë përfaqësoj si deputet, ku më 7 gusht 2016 gjen vdekjen Arditi. Erion Veliaj e mohoi punësimin e tij por 10 ditë më pas rrjeti investigativ BIRN publikoi foton e vëllait të Arditit me uniformën e Bashkisë Tiranë.
Sakaq, tre banka të nivelit të dytë nuk i kanë kthyer përgjigje komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët. Bankat e kanë detyrim ligjor t’i përgjigjen me informacion komisionit hetimor parlamentar. Në komisione të tjera personave privatë u janë marrë të dhënat bankare dhe e kanë dhënë këtë informacion. Kështu veproi PS në komisionin për CEZ. Përse me dy standarte tani? Hetimi na shpie drejt e në kupolën e lartë të shtetit. Kjo është arsyeja përse PS dhe mediat pranë saj po pengojnë hetimin.
Sa herë flasim në komision për Ardit Gjoklajn, mediat nuk janë të pranishme.Për fat të keq bashkëpunëtorë të censurës ka edhe në media, e megjithatë unë falenderoj kolegët tuaj të BIRN, ABC News TV, CNA.al, Syri TV dhe Ora News, për investigimin dhe publikimet. Falenderoj gjithashtu grupin e punës në KLSH për punën voluminoze në zbardhjen e kësaj skeme.
Jam paditur për shpifje nga Mirel Mërtiri, i cili nuk është paraqitur asnjëherë në gjykatë për t’u ballafaquar përpara ligjit. E pres në gjykatë të vijë e të më thotë ku qëndron shpifja ime. E them këtë për t’ju përgjigjur pyetjes suaj se unë do ta vazhdoj këtë betejë pavarësisht zhvillimeve të brendshme në forcën time politike. Jam takuar me familjen Gjoklaj në shtëpinë e tyre, ku jam zotuar se do i mbetem besnik kauzës për të bërë drejtësi për birin e tyre. I qëndroj angazhimit tim qytetar dhe politik për të punuar që e vërteta të mbërrijë në çdo ekran e shtëpi shqiptare. Familja Gjoklaj meriton drejtësi. Tirana meriton drejtësi. Unë kërkoj drejtësi për Arditin, familjen e tij dhe komunitetin e qytetarëve që kam nderin të përfaqësoj. / Zoom.al –Intervistoi Armand Kullau