zoom

Aktualitet

Inceneratorët, mes kompanive me fitimin më të madh në 2020

Publikimi i listës së kompanive me fitimet më të mëdha për vitin 2020 nxorri në pah se në mesin e tyre ishin edhe kompanitë e koncesioneve shumë të përfolura të inceneratorëve.
Lista që përmban 200 bizneset më të mëdha të vend, ka në 30-tëshen e parë Inceneratorin e Tiranës.
“Integrated Energy BV SPV”, kompania e ndërtimit dhe operimit të këtij inceneratori renditet në vendin e 21-të.
Ajo ka fituar 2.3 miliardë lekë nga 1.7 që fitoi në vitin 2019, duke i shtuar fitimet me 31.3 përqind.
Të dhënat tregojnë se sa si e ka mbushur portofolin kompania koncesionare edhe pse nuk e ka ndërtuar ende inceneratorin.


Një tjetër incenerator është në 100-shen e parë të kompanive me fitimet më të mëdha.
“Integrated Technology Services” e inceneratorit të Fierit renditet në vendin e 87. Kompania ka fituar 1 miliardë leke, duke i shtuar të ardhurat e saj me 25.2 përqind ende pa e vënë inceneratorin në punë.


Opozita shqiptare dhe disa media kanë denoncuar vazhdimisht faktin se inceneratorët janë paguar nga buxheti i shtetit me shuma të majme, në një kohë kur investitorët nga ana e tyre nuk kanë kryer as 20 përqind të investimit të parashikuar në kontratë.
Sipas opozitës, koncesionet e inceneratorëve janë një aferë e pastër korruptive. Me iniciativën e saj është ngritur edhe një komision hetimor parlamentar, i cili deri tani ka kërkuar të dhëna për udhëtime e llogari bankare për ministra, ish –ministra, kryetarë bashkie dhe tre biznesmenë që sipas saj menaxhojnë të tre koncesionet, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja. /Zoom.al