zoom

Sport

Interi me hapa kampioni, por Juventus nuk i ndahet

Gjashtë fitore radhazi dhe 4 prej tyre në Serie A. Inter vijon ecurinë perfekte, këtë herë duke thyer pastër 2-0 edhe Frosinone-n, një tre pikësh që i rikthen menjëherë në krye, plus 2 në raport me Juven.

Në “San Siro”, ekipi i Inzaghi-t kishte gjithçka në kontroll, iu afruan golit të avantazhit në disa momente, por për të zhbllokuar sfidën u desh një magji e Dimarco-s, një goditje prej afro 56 metrash që përfundoi në rrjetë, një gol fantastik që ia bëri më të lehtë këtë takim ekipin zikaltër.

Për të hipotekuar këtë sukses mendoi Calhanoglu që konvertoi në gol penalltinë e fituar nga Thuram. Mediat italianë flasin me fjalë të mëdha për këtë skuadër: “Inter magjik”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Super favorit”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport, por nuk e mendon në këtë mënyrë Simone Inzaghi, për të është herët për të dalë në një përfundim të tillë:

“Ne favoritë? Jo, nuk më pëlqen ta them këtë. Në i premtojmë tifozëve që do të bëjmë të pamundurën në çdo ndeshje, ashtu si një vit më parë. Pastaj ka edhe shumë ekipe të tjerë që i bëjnë favoritë, për mënyrën se si po luajnë. E sigurt është që ne jemi më të pasur pasi kemi zvogëluar kostot në merkato, nga 120, në 30 dhe zero këtë vit, pavarësisht finales së Champions League”, u shpreh Inzaghi.