Aplikacion
Furnizimi me karburante në vend rrezikon të përballet me ndërprerje, pas reagimit të importuesve kryesorë ndaj vendimit më të fundit të Bordit të Transparencës. Ky i fundit uli çmimet e shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës në 203 dhe 175 lekë për litër, nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë, ndërsa çmimet me shumicë u vendosën në 191 dhe 163 lekë për litër.
Importuesit paralajmërojnë se këto nivele janë nën kosto dhe, për të shmangur humbje të mëdha, mund të detyrohen të marrin masa të përkohshme, si pezullimi ose kufizimi i shitjes me shumicë dhe ngadalësimi i zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano. Në shkresat drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, ata theksojnë se formula e përllogaritjes së çmimeve është e vjetruar dhe nuk reflekton kushtet aktuale të tregut apo kontratat ekzistuese me furnitorët.
Sipas përllogaritjeve të tyre, kostoja reale aktuale arrin në rreth 206.2 lekë për litër për naftën dhe 169.7 lekë për benzinën, çka do të sillte çmime shitjeje me shumicë përkatësisht 209.2 dhe 172.7 lekë për litër. Kjo krijon një diferencë të ndjeshme me çmimet e vendosura nga Bordi, prej rreth 18.2 lekë për naftën dhe 9.7 lekë për benzinën. Për këtë arsye, importuesit kërkojnë mbledhjen urgjente të Bordit dhe rishikimin e metodologjisë së çmimeve, duke reflektuar kostot reale sipas kushteve CIF dhe premiumeve aktuale.
Ndërkohë, në treg është reflektuar ulja e çmimeve me pakicë, ku nafta është shitur sot me 203 lekë/litër dhe benzina me 175 lekë/litër. Megjithatë, importuesit paralajmërojnë se nëse detyrohen të shesin nën kosto, furnizimi mund të ndërpritet. Ata theksojnë se çmimi nuk mund të përcaktohet administrativisht nën nivelin e kostos reale, e cila bazohet në kontrata dhe fatura konkrete të furnizimit.
Sipas tyre, një nga arsyet pse Shqipëria ka çmime më të larta karburantesh krahasuar me rajonin është barra e lartë fiskale. Aktualisht, një litër naftë përfshin rreth 1.16 euro taksa, ose 53% të çmimit final, dukshëm më shumë se në vendet fqinje. Në këto kushte, shumë drejtues automjetesh po furnizohen jashtë vendit, duke çuar në dalje valutore që arrin deri në 1 milion euro në ditë./ Zoom.al