zoom

Ekonomi

Import 15 milionë dollarë – Cilat janë 5 shtetet kryesore që na furnizojnë me qumësht

Përpos prodhimit vendas, qoftë nga kompanitë por edhe nga blerjet direkt tek fermerët, një pjesë e nevojave të konsumatorë shqiptarë për qumësht plotësohen nga importi. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë periudhës Janar-Gusht 2023, janë importuar nga jashtë kufijve 15 mijë ton qumësht me vlerë afro 1.5 miliardë lekë.

Por cilat janë shtetet kryesore që na furnizojnë më qumësht? Të dhënat e doganave tregojnë se vendin e parë e mban Serbia, tashmë prej vitesh, ky shtet qëndron në krye të listës sa i takon këtij produkti, ku në 8 muaj ka eksportuar 5 mijë ton. Në vendin e dytë është Italia, me rreth 3.5 mijë ton të importuara gjatë këtij viti, ndjekur nga Hungaria me 1.9 mijë ton.

Më pas renditet Kosova me 1.3 mijë ton dhe Bosnje-Hercegovina me 1.1 mijë ton. Këto 5 vende zënë 85.4 për qind të peshës së importeve të këtij produkti, ndërsa në total janë 35 shtete nga ku furnizohemi, edhe pse në sasi të moderuara. Inflacioni në vend ka prekur edhe këtë produkt ku ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve si për markat vendase ashtu edhe ato të huaja.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një procedurë të hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit për shkak të çmimeve të rritura në të njëjtin nivel nga kompanitë vendase./Scan Tv