Aplikacion
Policia ka dalë me njoftim zyrtar për aksidentin detar të ndodhur ditën e sotme rreth orës 18:30 në Ksamil, ku ka humbur jetën 22-vjeçari Albjano Kreçi, banues në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, i riu po lundronte me një mjet lundrues tip jet ski, kur dyshohet se, si pasojë e shpejtësisë, është përplasur me një skaf të Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i jet ski-t është dëmtuar rëndë. Ai është nxjerrë menjëherë nga deti nga punonjësit e policisë dhe persona të tjerë që ndodheshin në zonë, dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ka humbur jetën.
“Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.