Aplikacion
Gjatë kësaj jave jemi nën ndikimin e Hënës së re në shenjën e Binjakëve, e cila sjell gjëra të reja, por është jashtë kontrollit sepse nuk bën asnjë lidhje planetare.
Këtë pohoi astologia Meri Shehu, e cila ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, këtë të hënë më 15 qershor për të bërë parashikimin e javës.
“Kështu që do të jemi pak jashtë kontrollit gjatë kësaj jave. Kemi një lajm të bukur sepse Afërdita është futur në shenjën e Luanit, e cila do të japë shfaqje të bukura rreth jetës sonë dhe të gjitha shenjat do të ndikohen.”
Dashi, 2 yje: Ndikimi i Hënës së re do t’i bëjë fillimet e reja jashtë kontrollit. Do të thoja që këto tri-katër ditë të mos marrin një vendim final në çështje me ligjin, punët në përgjithësi apo ndërmarrjen e një udhëtimi. Në dashuri do të shkëlqejnë, por në fundjavë do të kenë një xhelozi të paparë ndonjëherë dhe ndarje nga xhelozitë.
Demi, 1 yll: Do të merren me çështje ekonomike, por do t’ju dalë jashtë kontrollit ekonomia. Disa çështje familjare do të bëjnë sikur do të vijnë drejt Demit, por fundjava i nxjerr disi të ekspozuar, në vështirësi. Ose ndonjë plan jo korrekt në familje, ose një çështje ekonomike ju shpëton nga duart gjatë fundjavës. Megjithatë, kujdes me ekonominë se jemi jashtë kontrollit për momentin.
Binjakët, 3 yje: Janë me tre yje sepse Hëna e re është në shenjën e tyre, por edhe ata do t’i ndikojë sepse Hëna e re i çon gjërat ku të dojë, nuk ka një bosht kapës dhe është pa drejtim. Disa Binjakë e kanë më të ekuilibruar situatën, të tjerëve do t’u rrëshqasë situata akoma më shumë. Në lidhje me njohjet e reja, do të jenë të mira, por kujdes nga skenat e xhelozisë në fundjavë.
Gaforrja, 1 yll: Kanë ndryshime të papritura në punë, në shëndet, kanë pasiguri, pagjumësi, të cilat i nxjerrin nga planifikimet që kanë pasur. Prandaj shumë Gaforre nuk arrijnë të mobilizohen dhe të qetësojnë jetën e tyre, sidomos në punë dhe shëndet. Megjithatë, Gaforret e lindura në 10-ditëshin e tretë do të kenë fat këtë periudhë.
Luani, 3 yje: Afërdita në shenjën e tyre është një simbol i mirë në lidhje me famën, me karrierën. Në fundjavë kanë një tradhti në punë, në ekonomi ose në një bashkëpunim. Edhe në shoqëri futen në një rrugë që s’e dinë se ku do t’i nxjerrë, e cila mund t’i nxjerrë edhe te kthesa e gabuar.
Virgjëresha, 1 yll: Të kenë kujdes me punët me shtetin sepse Hëna e re do të prekë karrierën dhe jetën personale. Kujdes me vendimet që merrni! Disa gjëra që i mendoni të sigurta mund t’ju rrëshqasin nga duart!
Peshorja, 3 yje: Janë një nga shenjat që e marrin më së miri Afërditën në Luan dhe kjo do t’u japë energji, pozitivitet, njohje të reja, dashuri, udhëtime, vëmendje dhe gjithë të mirat. Fundjava do t’u rrëmbejë atë që java u ka dhënë, sepse do të jetë si të paguajnë një taksë të vështirë për të mirat që do të marrin. Kujdes Peshoret që kanë bërë pakte, me Hënën e re jashtë kontrollit!
Akrepi, 3 yje: Ana ekonomike dhe ana personale do të jetë shumë e fuqishme. Do të futen në lidhje të reja, në dashuri shumë pasionante. Fundjava i ekspozon në një çështje karriere shumë të rëndësishme ose do të synojnë për diçka shumë të fuqishme, por nuk duhet të rrezikojnë më shumë se ekstremi dhe kufijtë e tyre. Kujdes, java është pa kontroll!
Shigjetari, 2 yje: Preken direkt nga Hëna e re në çift, pasi mund të ketë ndarje, mund të ketë probleme të vështira dhe nuk do ta dinë ku shkon marrëdhënia e tyre në disa raste. Edhe një bashkëpunim i ri nuk dihet se ku shkon, kështu që kujdes. Të lindurit në 10-ditëshin e tretë do të marrin një thes me para dhe do të favorizohen goxha.
Bricjapi, 1 yll: Do të kenë një ndryshim pune dhe nuk dihet ku shkon rruga e këtij ndryshimi, sepse janë të çorientuar. Ana ekonomike do të shkojë mirë deri në fundjavë, ku mund të kenë një surprizë jo të mirë, ose një takim erotik shumë pasionant, ku mund të thuhen edhe fjalët e fundit. Kujdes me shëndetin, mos harxhoni më shumë energji.
Ujori, 2 yje: Kanë bashkëpunime të rëndësishme dhe unë mendoj se futen në një fazë të re të jetës së tyre, e cila është e papërcaktuar. Hëna e re në Binjakë tregon që jeta e tyre ndryshon për sa i përket qëllimeve dhe aktiviteteve. Mund të marrin një lajm të mirë nga fëmijët e tyre, por nuk kemi një drejtim të saktë të paktën tri-katër ditët e para.
Peshqit, 1 yll: Hëna e re do t’i ofrojë ndryshim shtëpie, diskutime, debatet janë shumë të fuqishme, por një çështje familjare apo çështje prone nuk dihet se ku shkon. Megjithatë, Afërdita në Luan i jep një tendencë ekonomike, një fuqizim, një dhurim. Kujdes të mos merret vesh, sidomos nga veprimtaritë e fshehta, sepse dikush mund të mos i falë nëse nuk kanë thënë të vërtetën në fushën e ndjenjave apo në fushën ekonomike dhe të bashkëpunimeve.