zoom

Aktualitet

I vodhi vëllait 17 mijë euro dhe bleu makinë, arrestohet 38-vjeçari. Nën akuzë edhe e shoqja

Blerja e një makine të mirë e ka tradhtuar dhe çoi në zbulimin e krimit.

Një 38-vjeçar në Elbasan u arrestua sot, pasi akuzohet se i vodhi vëllait në banesë 17 mijë euro, me të cilat më pas bleu dhe mjetin. E dyshuar si e implikuar është edhe gruaja e tij, që procedohet në gjendje të lirë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësise ligjore, pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bathës”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi Elton Muça, 38 vjeç, banues në fshatin Bathës, në zbatim të urdhrit të ndalimit nga Prokurori, për veprën penale “vjedhja”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. M., 37 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit E. M.).

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më 23.04.2023, kanë vjedhur 17 000 euro në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Bathës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar. /ZOOM.AL/