zoom

In Zoom

PROFIL/ “I kam falur”! Shuhet Dom Gjergj Simoni, dëshmitar i torturave të komunizmit

Një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës Katolike gjatë regjimit komunist do të ndërronte sot jetë në moshën 89-vjeçare. Bëhej fjalë për Dom Gjergj Simonin.

“Due vetëm një gëzim që sa herë shpirtit i thamë: Në krahë të Jezusit të jem, e s’due ma fort askënd….” do të shkruante ai në një prej poezive të tij, për një ditë si kjo.

Por pse emri i tij lidhet ngushtësisht me vuajtjen në burgjet e komunizmit? Kush është Dom Gjergj Simoni?

Lindi në 8 dhjetor 1933 në qytetin e Shkodrës. Së bashku me vëllanë e tij, Zefin morën mësimet e para për fenë katolike nga Dom Mark Harapi dhe dhe Padër Aleks Baqli.

Për shkak të diktaturës komuniste, ai u caktua në mënyrë të fshehtë meshtar në Arqipeshkvinë e Shkodrës.

“Aty nga fillimi i vitit 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamive e prishjen e objekteve të kultit, unë bisedova me vëllanë tim, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë, duke i thënë se siç po paraqitej situata, ndalimi i fesë ishte punë ditësh. Pas kësaj bisede, unë shkova tek Arqipeshkvia dhe mbusha plot 20 thasë me libra, dokumente e sende të tjera me vlerë dhe të gjitha ato i çova natën në shtëpinë tonë që ndodhej në lagjen “Arra e Madhe. Për disa ditë me rradhë duke bërë gjoja se po prashisja lulet e kopshtit, zgjodha 10 thasë me gjërat më me e i groposa aty në oborr me fshehtësinë më të madhe. Por pas 10 vjetësh, në korrikun e vitit 1977, kur sapo isha kthyer nga Vau i Dejës ku punoja si punëtor, disa njerëz të Sigurimit më thanë që të paraqitesha në Degën e Brendshme dhe kur vajta atje, njeri prej hetuesëve më tha: Ne kërkojmë disa libra të vjetër në kopshtin tuaj,” tregonte Gjergji.

Sigurimi i Shtetit, pas pesë javë kërkimesh i gjeti në kopshtin e shtëpisë së tij të gjitha materialet më me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës, të cilat ai i kishte groposur në pranverën e vitit 1967.

Dom Gjergj Simoni është edhe ndër meshtarët e parë që u shugurua në fillim të viteve ’90. Ndër të parët, që nisi shërbesat në disa famulli. E edhe që nisi të botojë shkrimet e fshehura ndër skuta deri në çastet e rënies së komunizmit.

Pasioni për letërsinë

Në mesin e viteve ’60, Gjergj Simoni vazhdonte të punonte si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërsa i vëllai i tij, Zefi, punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës.

Ndonëse se Zefi kishte mundur që të futej në punë së mësues i Gjuhës e Letërsisë në gjimnazet e Shkodrës, prej devotshmërisë që kishte ndaj besimit katolik, ai e kishte lënë atë punë bashkë me rrogën e mirë që merrte në Arsim dhe ishte punësuar si llogaritar pranë Arqipeshkvisë.

Por përveç devotshmërisë që të dy vëllezërit Simoni, kishin ndaj besmit të fesë katolike, ata kishin dhe një pasion tjetër, letërsinë dhe si Zefi ashtu dhe Gjergji, vazhdimisht shkruanin poezi dhe tregime të ndryshme, por pa mundur dot që t’i botonin ato.

Takim me të shkuarën

Pak kohë para se të ndahej nga jeta, 30 vjet pas lirimit nga burgu, Meshtari mundi të shfletojë dosjen e tij, “të ruajtur” nga Sigurimi i Shtetit.  Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Dom Gjergj Simonit dosjen mbi dënimin e tij nga regjimi monist. Rilexoi kështu, jo pa ngushëllim, fjalët që i pati shqiptuar në hetuesi, e edhe në sallën e gjyqit, ku pati deklaruar me guxim se udhëheqja komuniste ishte tradhtare e kombit.

“Unë i kam falur të gjithë. Kundra së keqes përherë fitoj. Pyetja a po ndodh mjaftueshëm apo po ndodh 100%? Është jo. Unë them se ka parandalim sepse njerëzit duke e ditur që do verifikohen, nuk synojnë pozicione të larta nëse kanë çështje me sigurimin e shtetit”.

Me këto fjalë shprehej Dom Gjergj Simoni pasi lexoi dosjen e errët./Zoom.al