zoom

Aktualitet

Vuajti torturat e komunizmit! Ndërron jetë Dom Gjergj Simoni

Humb jetën në moshën 89-vjeçare Dom Gjergj Simoni. Për shume vite, ai vuajti në burgjet e komunizmit bashkë me një pjesë të konsiderueshme të martirëve.

Dom Gjergj Simoni është autor i shumë botimeve, ndërsa pak kohë para se të ndahej nga jeta u njoh edhe me dosjen e Sigurimit të Shtetit.

Në fillim të viteve ‘90, Dom Gjergj Simoni ishte ndër meshtarët e parë që u shugurua nga Vatikani dhe filloi shërbesat në disa famulli.

Pak histori…

Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933, në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë qytetare. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon ishte një ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte ndërtuar nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të atit, por jo pasurinë që kishte patur ai, për shkak se falimentuan dhe familja ra në varfëri të plotë.

Kështu në atë gjëndje të mjerushme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi lindën dhe rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën.

Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujton:

“Duke kene se të dy prindrit tanë ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruem me u fut në punë të ndryshme për me mbajtë familjen e varfër dhe nuk mundëm që të vazhdojshim rregullisht studimet Teologjike, pasi ajo gja k’je ndalue prej pushtetit komunist.

Por t’uj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.
Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue mshehtas si meshtar nga Arqipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gja legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës.

Ndërsa unë për vite me rradhë deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.”