Aplikacion
Ivana Kottasová – CNN
Kur një grup ekspertësh të sigurisë u mblodhën muajin e kaluar në Whitehall, selinë e qeverisë britanike, për të diskutuar se sa e përgatitur është Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj për një luftë që ata besojnë se mund të vijë brenda disa viteve të ardhshme, përfundimi i tyre ishte mjaft i zymtë: nuk janë gati.
Personat e mbledhur në konferencën, e organizuar nga think tank-u londinez Royal United Services Institute (RUSI), nuk ishin luftënxitës; ishin njerëz që e njohin mirë situatën. Anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të forcave të armatosura, zyrtarë qeveritarë dhe të NATO-s, studiues dhe profesionistë të industrisë së mbrojtjes, të cilët e bazojnë analizën e tyre në vlerësimin gjerësisht të pranuar të inteligjencës se Rusia po përgatitet për mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me Europën.
E vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë, thonë ata, është të sigurohet që, nëse një luftë do të shpërthente, Europa do të fitonte.
Më shumë investime në mbrojtjen europiane, e cila prej kohësh ka qenë e nënfinancuar, janë kyçe, por ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë se nevojitet edhe një ndryshim i madh i mendësisë. Ka ardhur koha, thonë ata, që qeveritë europiane t’i përgatisin qytetarët e tyre dhe ta bëjnë të qartë se periudha kur Europa mund ta injoronte kërcënimin e luftës ka marrë fund.
“Mendoj se ka shenja që shoqëritë janë të gatshme ta bëjnë këtë bisedë, por shohim gjithashtu qeveri që ende nuk janë mjaftueshëm të sigurta për ta pasur këtë bisedë me publikun e tyre,” tha Sam Greene, profesor i politikës ruse në King’s College London dhe ekspert i qëndrueshmërisë demokratike.
Ekziston një konsensus gjithnjë në rritje mes ekspertëve se Rusia tashmë po zhvillon një luftë hibride kundër Perëndimit, duke kryer operacione sabotazhi dhe duke futur kaos dhe dezinformim në debatet politike të brendshme. Ata i referohen provave të shumta, përfshirë shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të NATO-s nga avionë dhe dronë rusë, bllokimin e GPS-it në vendet baltike, fushatat e dezinformimit dhe sulmet sabotuese ndaj infrastrukturës kritike në disa vende, të cilat janë gjurmuar deri te shërbimet sekrete ruse. Rusia i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Greene tha se këto sulme tashmë kanë ndryshuar pikëpamjet e shumë europianëve, edhe pse disa politikanë mbeten të pavullnetshëm për t’i quajtur hapur luftë hibride.
“Mendoj se njerëzit janë të frikësuar, veçanërisht sa më e dukshme bëhet kjo,” tha ai. “Shohim dronë pranë aeroporteve dhe mendoj se po krijohet ndjesia se është ndoshta vetëm çështje kohe para se një prej këtyre dronëve të rrëzojë një avion pasagjerësh.”

Shtëpia e Alicja dhe Tomasz Wesolowski në Wyryki-Wola të Polonisë u shkatërrua pasi dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi ndaj Ukrainës.
Edhe pse Moska nuk ka kryer asnjë sulm të drejtpërdrejtë ndaj aleatëve të NATO-s në Europë – pjesërisht, thonë ekspertët, sepse Rusia e di se nuk mund ta mposhtë aleancën me kapacitetet aktuale – ka gjithnjë e më shumë shenja se kjo mund të ndryshojë në të ardhmen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi më herët këtë vit se Rusia mund të jetë gati të përdorë forcë ushtarake kundër NATO-s brenda pesë viteve. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e përsëriti këtë paralajmërim muajin e kaluar, duke thënë se shërbimet gjermane të inteligjencës besojnë se Moska po “e mban të hapur opsionin e luftës kundër NATO-s deri më 2029, të paktën.”
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në fillim të dhjetorit se, ndonëse Rusia nuk po planifikon luftë me Europën, “nëse Europa papritur dëshiron të luftojë me ne dhe e nis, ne jemi gati që tani.”

Konsensusi mes vendeve baltike është se një sulm ndaj tyre mund të vijë brenda tre vitesh. Kur studiuesit në Qendrën Belfer për Shkencë dhe Çështje Ndërkombëtare në Shkollën Kennedy të Harvardit analizuan paralajmërimet dhe parashikimet e zyrtarëve për gatishmërinë dhe vullnetin e Rusisë për të nisur një luftë kundër NATO-s, ata zbuluan se vitet më të përmendura janë 2027 dhe 2028.
Njohja e këtij kërcënimi e ka shtyrë NATO-n të zhvillojë plane kontigjence për mbrojtjen ndaj një agresioni të mundshëm rus kundër vendeve baltike.
Por ekspertët paralajmërojnë se planet e aleancës nuk përputhen me realitetin.
“Ka një plan, me shifra. Por qeveritë nuk po ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta zbatuar. Ne ende po planifikojmë mbi baza që nuk ekzistojnë,” tha Jack Watling, studiues i lartë në RUSI.
Ai theksoi rrezikun e ndërtimit të një përgjigjeje mbrojtëse mbi dëshira, në vend që të pranohet realiteti i burimeve ekzistuese dhe të planifikohet mbi bazën e tyre.
Qeveria britanike i kërkoi këtë vit tre ekspertëve të njohur – ish-kreut të NATO-s George Robertson, gjeneralit Richard Barrons, ish-kreut të Komandës së Forcave të Përbashkëta, dhe Fiona Hill, ish-drejtoreshë e lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së – të kryenin një rishikim strategjik të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Ata i paraqitën qeverisë një manual me hapat e nevojshëm për t’u përgatitur për luftë.
Duke folur në aktivitetin e RUSI-t muajin e kaluar, Barrons tha se Britania duhet të rishikojë qëndrueshmërinë e infrastrukturës së saj, të rrisë forcat e armatosura, rezervat dhe mbrojtjen civile, si dhe të investojë në shëndetësi, industri dhe ekonomi, për të qenë në gjendje të kalojë shpejt në gjendje lufte.
“Nuk na duhet shumë më tepër analizë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë. Problemi është se duhet ta bëjmë vërtet,” tha ai, duke shtuar se mungesa e urgjencës lidhet me faktin se “shoqëria civile dhe politikanët tanë” kanë prioritete të tjera.
Sipas tij, edhe pse Mbretëria e Bashkuar po ecën në drejtimin e duhur, me ritmin aktual do t’i duheshin rreth 10 vjet për t’u përgatitur për luftë.

Ushtarë të Baterisë së 88-të të Artilerisë së Ushtrisë Britanike përgatisin një top artilerie gjatë stërvitjes ushtarake Allied Spirit 25 në Gjermani. — Sean Gallup/Getty Images
“Ndërkohë që analiza jonë dhe aleatët tanë po na thonë se ndoshta kemi vetëm tre deri në pesë vjet… kjo është çështje vullneti, sa shoqëror aq edhe politik, dhe më pas kompetence. Ndoshta duhet të bëjmë më mirë,” tha ai.
Shumë kryeqytete europiane, përfshirë Londrën, kanë kaluar dekadat e fundit duke menduar shumë pak për mbrojtjen. Meqë në kontinent nuk ka pasur konflikte të mëdha ushtarake direkte që nga viti 1945, Europa ka shijuar periudhën më të gjatë të paqes së vazhdueshme në shekuj.
Këto dekada qetësie sollën një dividend të rëndësishëm paqeje. Qeveritë mund të shpenzonin para për mirëqenie në vend të mbrojtjes, duke e bërë jetën e europianëve më komode, ndërsa mbështeteshin te Shtetet e Bashkuara – shpenzuesi më i madh ushtarak në botë – për t’i mbrojtur në rast nevoje.
Pastaj erdhën dy zgjime të ashpra: një president amerikan, Donald Trump, i cili ua bëri të qartë aleatëve të NATO-s se nuk mund të mbështeteshin më kaq shumë te SHBA-të, dhe pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.
Ky përmbysje e status quo-së i shtyu shumicën e vendeve europiane të NATO-s të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes. Sipas të dhënave të NATO-s, 31 nga 32 anëtarët e saj pritet të arrijnë objektivin e shpenzimit të 2% të PBB-së për mbrojtjen këtë vit, nga vetëm gjashtë në vitin 2021. Islanda, i vetmi vend që nuk e përmbush këtë objektiv, nuk ka forca të armatosura dhe kontribuon financiarisht dhe me sisteme mbrojtjeje ajrore e vëzhgimi.
Anëtarët e NATO-s ranë dakord në qershor që ta rrisin objektivin në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Megjithatë, shumë analistë janë skeptikë, veçanërisht pasi shumica e vendeve europiane përballen me presione financiare edhe pa një rritje masive të shpenzimeve ushtarake.
T’u shpjegosh votuesve se disa burime mund të duhet të rialokohen dhe se ndoshta më shumë njerëz do të duhet të shërbejnë në forcat rezervë ose të rregullta nuk është diçka që shumica e politikanëve dëshirojnë ta bëjnë.
Sondazhet Eurobarometer këtë vit treguan se 78% e europianëve janë të shqetësuar për mbrojtjen dhe sigurinë e BE-së në pesë vitet e ardhshme dhe një e treta beson se mbrojtja duhet të jetë prioritet shpenzimesh.
Megjithatë, shefi i forcave të armatosura franceze, gjenerali Fabien Mandon, shkaktoi reagime të forta muajin e kaluar kur paralajmëroi publikun francez se vendi duhet të përgatitet për humbje të mundshme ndaj agresionit rus, duke thënë se Franca duhet “të pranojë humbjen e fëmijëve të saj” për të “mbrojtur atë që jemi”.
Robin Potter, studiues në think tank-un britanik Chatham House, tha se gatishmëria e qytetarëve europianë për të kuptuar kërcënimin dhe për të kontribuar ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend.

Në Gdynia, Poloni, më 5 prill, një grup civilësh merr pjesë në trajnimin e teknikave ushtarake në një sesion të quajtur “Stërvitje me Ushtrinë”, i organizuar nga ministria e Mbrojtjes e vendit. — Lukasz Glowala/Reuters
“Nëse je në lindje, nëse kufizohesh me Rusinë, në Poloni ose në vendet baltike, kërcënimi është shumë real dhe njerëzit po ndërmarrin më shumë hapa, si ndërtimi i strehimeve publike, sepse besojnë se rreziku i një sulmi ajror është më i lartë,” tha ai.
Suedia dhe Finlanda përditësuan vitin e kaluar udhëzimet për qytetarët se si të mbijetojnë në rast lufte, duke shpërndarë broshura me udhëzime për ndërprerjet e komunikimit, mungesën e energjisë dhe kushtet ekstreme. Disa vende, përfshirë Lituaninë, Letoninë dhe Suedinë, kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak gjatë dekadës së fundit, ndërsa të tjera si Gjermania, Polonia, Belgjika, Rumania dhe Bullgaria kanë futur programe trajnimi vullnetar.
Potter tha se qytetarët që kanë më shumë besim te institucionet e shtetit janë më të prirur të pranojnë sakrifica për të mirën e përbashkët.
“Nëse njerëzit ndiejnë se shteti po funksionon për ta, ka më shumë gjasa të duan të japin diçka mbrapsht,” tha ai, duke përmendur vendet nordike ku koncepti i detyrës qytetare dhe “mbrojtjes totale” – ku çdo qytetar, biznes dhe institucion publik bëhet pjesë e përpjekjes së luftës nëse është e nevojshme – është thellësisht i rrënjosur.
“Pyetja është nëse mund ta marrësh këtë model dhe ta vendosësh në një shoqëri krejt tjetër, me shumë më pak besim te institucionet publike, siç është Mbretëria e Bashkuar.” /Përgatiti në shqip Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit