zoom

Bota

BE miraton kredi 90 miliardë euro për Ukrainën pas dështimit të marrëveshjes për asetet ruse

BE miraton kredi 90 miliardë euro për Ukrainën pas dështimit të marrëveshjes për asetet ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, pasi dështuan të bien dakord për përdorimin e aseteve ruse të ngrira.

Marrëveshja u arrit pas më shumë se një dite negociatash gjatë një samiti në Bruksel dhe, sipas udhëheqësve evropianë, do të mbulojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme.

“Ne u zotuam dhe e mbajtëm premtimin”, shkroi në platformën X presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke njoftuar dakordësinë për sigurimin e një kredie të mbështetur nga buxheti i përbashkët i BE-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar që të përdoreshin rreth 200 miliardë euro nga asetet ruse të ngrira. Megjithatë, Belgjika – ku ndodhet pjesa më e madhe e këtyre fondeve – kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë ligjore, një kërkesë që u konsiderua e vështirë për t’u pranuar nga vendet e tjera anëtare.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se do të ishte “e dobishme” që Evropa të riangazhohej në dialog me presidentin rus Vladimir Putin. Ai theksoi se është në interes të evropianëve dhe ukrainasve të gjendet një kornizë e përshtatshme për rinisjen e bisedimeve në javët në vijim.

Kryeministri belg Bart De Wever deklaroi se vendimi për dhënien e kredisë ndihmoi BE-në të shmangte “kaosin dhe përçarjen”, duke zgjedhur huazimin e fondeve në vend të konfiskimit të aseteve ruse. “Ne qëndruam të bashkuar”, shtoi ai.

Sipas vlerësimeve të BE-së, Ukrainës i nevojiten edhe 135 miliardë euro shtesë për të përballuar dy vitet e ardhshme, ndërsa kriza e likuiditetit pritet të nisë në prill.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte mbështetur planin për përdorimin e aseteve të ngrira, deklaroi se vendimi për kredinë “i dërgon një sinjal të qartë” presidentit rus Vladimir Putin.

Rusia kishte paralajmëruar BE-në të mos përdorte fondet e saj, por kryeministri polak Donald Tusk theksoi se Evropa duhet të “ngrihet në lartësinë e situatës”.

Marrëveshja i siguron Kievit një mbështetje jetike në një moment kritik diplomatik, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion për një marrëveshje të shpejtë që synon përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës./Zoom.al

Postime të lidhura