zoom

In Zoom

Hetimi i Rai 3: Igli Tare, pronar pika bastesh në Tiranë/ Reagimi i tij: As unë e as im vëlla…

Në një investigim të televizionit italian Rai 3 thuhet se Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios është përfshirë në mbi 400 pika bastesh (Top Bast) në Shqipëri, si një pronar i fshehur.

Investigimi në fjalë, ku përfshihen edhe hetime të prokurorisë, titullohet “Futboll, klan dhe biznes – Hijet shqiptare të Tares te Lacio”.

Ai fillon me një hetim të Prokurorisë së Barit mbi një aleancë midis mafies siciliane, ‘ndraghetës dhe klaneve bareze për të investuar dhe menaxhuar botën e basteve sportive.

Sipas prokurorisë, ndër kompanitë e ndryshme figuronte edhe një subjekt shqiptar, në pronësi, sipas saj, të vëllezërve Genti dhe Igli Tare.

Investigimi i emisionit “Report” merr parasysh edhe blerjet e fundit të Lazios, në veçanti atë të kosovarit Vedat Muriqi, i cili u transferua nga Fenerbahce për vlerën e 17. 5 milionë euro plus bonuse të tjera, që emisioni “Report” cilëson si të dyshimtë.

Në lidhje me këto akuza ka ardhur reagimi i parë Tares.

Nëpërmjet avokatëve të tij, Igli Tare i ka quajtur të pabaza akuzat, duke thënë se asnjëherë, as ai dhe as i vëllai i tij nuk janë përfshirë në këto veprimtari.

“Absolutisht i palidhur me kompaninë shqiptare të basteve “Top Bast”, në lidhje me të cilën, as vëllai i tij Genti nuk ka interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Teza e mbështetur nga gazetari dhe e atribuar prej tij nga dokumentet hetimore është thjesht e gabuar, sipas së cilës “kompania u përket vëllezërve Genti dhe Igli Tare”. Në mënyrë të ngjashme, Igli Tare e deklaron veten të palidhur me operacionin e përshkruar nga gazetari, si një përpjekje nga klani Martiradonna për të blerë këtë kompani bastesh; mosfunksionimi i të cilave injoron çdo informacion.

Igli Tare kishte paralajmëruar më parë gazetarin Daniele Autieri me një email në përgjigje të një serie pyetjesh specifike drejtuar atij, në cilësinë e gazetarit të “Report”.

“Igli Tare rezervon çdo veprim më të gjerë juridik, për të cilin tashmë i ka dhënë një mandat avokatëve të tij”, thuhet në reagim.