Aplikacion
Zoom.al ka publikuar foton e picierit Filip Shehu, i cili dyshohet se goditi tre herë me thikë kolegun e tij, Indrit Ismaillarin, brenda ambienteve të lokalit “City Lounge”, ku të dy punonin.
Në pamjet e siguruara, autori i dyshuar shihet me pranga në duar, i shoqëruar nga dy efektivë policie. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së sotme, në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë.
34-vjeçari Indrit Ismaillari ndërroi jetë në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra — një në qafë dhe dy në bark.
Sipas policisë: “Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit.”
Burime bëjnë me dije se konfliktet mes picierit dhe kuzhinierit ishin të vazhdueshme, ndërsa mësohet se 41-vjeçari kishte shprehur më parë pakënaqësi, duke pretenduar se viktima e bullizonte.