zoom

Lajme

Gjysmëfinalet e Champions, sot përballja Bayern-Real Madrid. Tuchel: Fitojmë dhe shkojmë në Webley

Real Madrid është një makth për Bayern Munich, por në futboll statistikat janë bërë për t’u thyer, shpreson shumë Thomas Tuchel që ky të jetë rasti ideal për të kaluar këtë pengesë të madhe, për të siguruar një biletë për në finalen e Champions League, mundësia e fundit për Bayern për të mbajtur të ndezur objektivin për të mbyllur sezonin me një trofe:

“Kjo ndeshje është si një finale”, u shpreh Tuchel në konferencë për shtyp duke shtuar: “Objektivi ynë është të shkojmë në Wembley. Thyem Arsenal, kjo na ka dhënë edhe më shumë besim. Mezi presim të zbresim në fushë, jemi të përqendruar totalisht te kjo sfidë. A mund të bëj një parashikim? Nuk e di përse, por kam një ndeshje që Gnabry shënon gol me siguri”, theksoi Tuchel duke bërë më pas një koment në lidhje me Carlo Ancelotti-n:

“Carlo është një legjendë. Jemi të gjithë të emocionuar për këtë sfidë, por Calo reflekton qetësi dhe eksperiencë. Bellingham? Rritja e tij është e pabesueshme. Kur luan për një klub kaq të madh, luan për sfida të tilla. A ka një recetë për të mposhtur Real Madrid? Duhet të kemi taktikë, por dhe të jemi të lirë në fushë. Kjo është një ndeshje që do të vendoset nga detajet e vogla”, theksoi Tuchel në konferencë për shtyp.

Në krah të trajnerit Tuchel, në konferencë për shtyp ishte edhe Joshua Kimmich, me mesfushorin gjerman që prej kohësh po joshet nga La Liga, nga klube si Barcelona dhe Real Madrid. Pikërisht për këtë temë, Kimmich u ngacmua nga gazetarët spanjoll: “Fillimisht do të flas me Bayern Munich për kontratën, kur ta bëjmë këtë gjë, sigurisht nuk do t’ia them medias.

Unë nuk mendoj për atë që thuhet në shtyp, e thashë edhe më herët, fillimisht do të flas me Bayern. Sigurisht që Barcelona dhe Real Madrid janë dy klube fantastike, me një histori të jashtëzakonshme”, u shpreh Kimmich ndër të tjera. /ZOOM.AL/