Aplikacion
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Milano, iu përgjigj akuzave të opozitës se “gjysma e qeverisë së tij ndodhet në burg”.
Ai theksoi se një deklaratë e tillë nuk përkon me realitetin dhe se, sipas tij, socialistët duhet të ndihen më krenarë se kurrë për reformat që kanë bërë.
“Ka pasur mbi 60 ministra e qindra kryetarë bashkish e komunash gjatë këtyre viteve qeverisje,” tha Rama, duke shtuar se fakti që disa prej tyre janë hetuar apo ndëshkuar nga drejtësia është një dëshmi se reforma në drejtësi po funksionon – një reformë që, sipas tij, u bë me vullnetin e plotë të mazhorancës.
“Disa janë përballur me drejtësinë, por kjo është një arsye për të mbajtur kokën lart. Ata që flasin për ‘gjysmën në burg’ janë po ata që dikur nuk e linin drejtësinë të merrte frymë,” vijoi ai. Kryeministri nuk i kurseu ironitë ndaj opozitës, duke e quajtur atë një “këneta” që kërkon të kthehet në pushtet vetëm për interesa personale, për ta kthyer vendin pas.
Rama përmendi edhe datën 12 maj si një moment kyç, duke thënë se nuk është thjesht një përballje për vota, por një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të mbrojtur SPAK nga “ofensiva e bufit dhe mushkonjave”.
“Shqiptarët duhet ta marrin këtë mesazh qartë: bëhet fjalë për të mos e ndalur vrapin drejt integrimit europian,” përfundoi ai.