zoom

Aktualitet

Gjykata nxjerr nga qelia 15 protestuesit e opozitës

Gjykata nxjerr nga qelia 15 protestuesit e opozitës

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “detyrim paraqitje” për 15 protestuesit e vënë në pranga, pas veprimeve të dhunshme gjatë tubimit të 22 marsit.

Deputeti demokrat, Gjin Gjoni, i cilësoi arrestime të paligjshme duke shtuar se “beteja ligjore do të vijojë pasi qytetarët janë të pafajshëm”.

“Këto janë arrestime politike dhe padyshim një lloj represioni që u bëhet qytetarëve që i bashkohen dita-ditës protestës së Partisë Demokratike. Sa më shumë të arrestohen, të jeni të sigurt, aq më shumë do të jenë njerëzit që do të shtohen. Numri po shtohet edhe për shkak të masave represive që vendos qeveria, edhe për njerëz që kalojnë rastësisht në rrugët e qytetit kur bëhet protesta.

Nuk rezulton që ka provë në ngarkim të tyre, nuk ka pamje filmike apo dokumentacion lidhur me akuzat”, tha ai në prononcim për gazetarët.

Bëri me dije se Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për 30 ditë, për pesë prej tyre, megjithatë togat e zeza i lanë të lirë që të gjithë.

Protestuesit akuzohen për hedhjen e lëndëve djegëse (molotovë) dhe kundërshtimin apo goditjen e punonjësve të Policisë.

Është proceduar penalisht deputeti Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.

Ashtu si herët e shkuara, edhe protesta e 6-të kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe flakadanë.

Policia ndërhyri disa herë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Postime të lidhura