zoom

In Zoom

GJYKATA E POSAÇME, si notere e SPAK. Avokatët: Gjykatë që nuk dëgjon. Drejtësia në pikëpyetje

Në janar të 2019, dhjetra “biznesmenë”, mes tyre edhe Enver Sheshi dhe Robert Shabani, ranë në prangat e policisë nën akuzën se kishin mashtruar shtetin dhe bashkë me 22 të tjerë, i kishin shkaktuar një dëm prej 18 milionë eurosh. Në 2020, të akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për skemë mashtruese me TVSH-në, duke lëshuar fatura fiktive, për blerje mallrash që nuk bliheshin asnjëherë dhe furnizonin me fatura kompani të treta, ata u dënuan nga Gjykata e Tiranës.

Edhe pse drejtësia kishte folur, e shkuara nuk i la të qetë dy “biznesmenët”, të cilët, në nëntor të 2022 u vunë sërish në pranga me kërkesë te prokurorisë më të rëndësishme në vend, SPAK. Kjo e fundit tha se dy biznesmenët, bashkë me disa të tjerë, kishin qenë pjesë e një skeme të lëshimit të faturave fiktive, për blerje dhe punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Fierit.

Kërkesa për mbylljen e tyre në qeli, u miratua nga Gjykata e Posaçme pa ndonjë hezitim. U verifikua dhe la në fuqi 2 ditë pas arrestimit, si dhe u miratua më pas edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Të hetuarit e përsëritën disa herë që ata kishin dhënë llogari njëherë për këtë akuzë dhe ishin dënuar nga një Gjykatë tjetër, por në asnjë rast nuk u dëgjuan.

Dy të pandehurit e SPAK e morën drejtësinë e tyre pasi qëndruan disa muaj në qeli. Gjyqtari i seancës paraprake, pushoi çështjen në ngarkim të tyre si gjë e gjykuar, pak më shumë se 5 muaj nga arrestimi. Por teksa Robert Shabani po e gëzon lirinë, Enver Sheshi, e mori drejtësinë pak ditë pasi kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit të burgut, tamam sipas postulatit “Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar”.

Avokatët: Gjykata e Posaçmë nuk dëgjon. Vendos “copy-paste” çfarë i kërkon SPAK

Në korridoret e Gjykatës së Posaçme, ajo që ndesh më shpesh janë avokatë të cilët ankohen se nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me prokurorët në një proces gjyqësor. Fjalia “gjykata vendos copy-paste çfarë kërkon Prokuroria e Posaçme” është kthyer nga mbrojtësit si pjesë e çdo akti të dorëzuar në konkluzionet përfundimtare.

Avokati Sokol Hazizaj, në seancën ku u lexua pretenca për dosjen e inceneratorit të Elbasanit për 9 të pandehurit pati kundërshtimet e tij për akuzat e relatuara nga SPAK dhe në përfundim i tha Gjykatës se pret që ajo të lërë në fuqi pa ndryshim atë çfarë kërkoi SPAK.

Por nuk kanë munguar edhe qëndrimet publike, të cilat konsiderojnë rolin e avokatit në proceset gjyqësore si jo të barbartë sa i takon dëgjimit të fakteve që relatohen. Në disa raste, avokati Maksim Haxhia është shprehur publikisht se “gjykata është kthyer në një notere e SPAK”, teksa të tjerë e kanë quajtur atë si një “gjykatë që nuk dëgjon”.

Bojkoti i avokatëve në verën e 2022, si kundërshti ndaj miratimit të Hartës së Gjyqësore, të cilën e konsideronin si cenim të aksesit në drejtësi dhe një hartë e cila do detyronte avokatët të rrisnin tarifat për qytetarët, nga shumë prej tyre u përdor edhe si një formë revolte ndaj Gjykatës së Posaçme. Nëse i pyesje se pse ishin dakord me bojkotin, përgjigja më e shpeshtë që merrje ishte se: Kjo gjykatë ka nevojë të kuptojë rolin e avokatëve dhe të dëgjojë më shumë.

Por nevoja për të dëgjuar më shumë, më shumë se sa me avokatët, lidhet me rolin që ligji i jep gjyqtarit, për të qenë mbi palët dhe për të mos lejuar që qyetatrit t’i cënohen të drejtat, qoftë edhe kur është një i pandehur.

Masat e sigurisë dhe një vështrim ndryshe i Strasburgut

Kërkesat më të shumta të rrëzuara nga Gjykata e Posaçme janë ato për zëvendësimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”, të cilat janë dhjetra në muaj, nga të pandehur që kryesisht akuzohen për veprat penale në fushën e korrupsionit, më pak nga ata që akuzohen për krime të rënda.

Në të gjitha rastete, masat e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, konfirmohen nga Gjykata dhe ato nuk ndryshojnë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar, përveç rasteve të veçanta. Edhe kur në seancë konfirmohet gjendja shëndetësore jo e mirë e një të pandehurit, Gjykata, siç ndodhi në rastin e ish -ministrit Lefter Koka, tha se pavarësisht kësaj, ai mund të marr trajtim në ambientet e spitalit të burgut.

Më herët, ish -ministrit, por edhe një tjetër zyrtari të akuzuar në dosjen e inceneratorëve, Gjykata i rrëzoi kërkesat për lirimin në garanci pasurore. Kështu kishte kërkuar SPAK. Shumë të hetuar të tjerë para ish -ministrit dhe pas tij, i thanë Gjykatës së Posaçme se ishin sëmurë dhe kishin nevojë për trajtim të veçantë, por as ata nuk u dëgjuan. Gjykata dëgjoi SPAK-un.

Klajdi Dokoli, tashmë i dënuar me 25 vjet burgim si pjesëmarrës në një grup kriminal që vrau në 2012 babë e bir, Nezir e Gentian Beqirin në Elbasan, qëndroi gjatë gjithë hetimeve në masën e sigurisë “Arrest në burg”, edhe pse trajtohej me kimioterapi për shkak të një tumori.

Ai iu drejtua gjykatave të posaçme, të Shkallës së Parë dhe Apelit me kërkesë për të qëndruar në shtëpi gjatë hetimeve, por edhe pse me akt ekspertime që pranonin gjendjen e tij shëndetësore, kërkesa nuk iu mor parasysh.

  • “Në verifikim të pretendimeve të kërkuesit Klajdi Dokoli, janë caktuar një grup ekspertësh nga Instituti i Mjekësisë Ligore, të cilët kanë depozituar aktin mjeko-ligjor nr. 1729, datë 21.7.2021, i cili ka arritur në këto konkluzione: “Gjendja aktuale shëndetësore e të hetuarit Klajdi Dokoli është jo e mirë. Ai është diagnostikuar dhe po trajtohet për sëmundje kanceroze (tumor malinj) të kockës dhe indeve të buta përreth në dorën e djathtë, i përsëritur, i ndërlikuar me metastaza në mushkëri. Mënyra e mjekimit të kësaj sëmundje është kimioterapi (terapi me medikamente antitumorale), të cilën po e merr në Spitalin Onkologjik pranë QSUT sipas skemës se përcaktuar nga mjeket specialistë onkologe. Mjekimi për këtë sëmundje po realizohet në ambientet e spitalit të burgut në bashkëpunim me Spitalin Onkologjik pranë QSUT, pra këtij pacienti po i orfohet shërbimi i mjekimit për sëmundjen dhe stadin në të cilin ndodhet kjo sëmundje. Për shkak të gjendjes shëndetësore të tij nuk rekomandohet qëndrimi në kushtet jospitalore deri në përfundimin e trajtimit mjekësor, kohe e mjaftueshme kjo për të bërë vlerësimin mjekoligjor.”, shkruhet në akt ekspertimin e dorëzuar në Gjykatë, një akt ekspertim që nuk mjaftoi për zbutjen e masës së sigurisë për Dokolin, i cili tashmë është një i dënuar.

Edhe në rastin e fituesit të garës për bashkinë e Himarës, Fredi Belerit dhe të mikut të tij, Pandeli Kokaveshi, Gjykata e Posaçme dëgjoi SPAK-un. Bleri, edhe pse paraqiti prova se kishte probleme shëndetësor u la në burg. Kokaveshi, që kishte bërë një transplant në zemër, u la në arrest shtëpie vetëm kur SPAK u bind.

Aplikimi i masave të rënda të sigurisë nga drejtësia shqiptare, duke mbyllur në qeli qytetarë si të dyshuar dhe rrëzimi i kërkesave ka marr një përgjigje edhe nga Gjykata e Strasburgut.

Disa muaj më parë, kjo gjykatë gjobiti Shqipërinë me 8 mijë euro, për paraburgim të një ish zyrtare, e cila edhe pse u gjet e fajshme për vjedhje duke shpërdoriar detyrën, për Gjykatën Evorpiane të të Drejtave të Njeriut, ajo nuk duhet të mbahej në qeli gjatë hetimeve. Në arsyetim, Strasburgu, thekson se rëndësia e një vepre penale ose pasojat që ka sjell ajo, nuk përbëjnë arsye të që justifikojnë paraburgimin dhe nuk mund të justifikojnë në vetvete, heqjen e lirisë së një të dyshuari.

“Noterizimi” vë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi

Gjykatat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar filluan funksionimin më datë 19 dhjetor 2019.
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikacione vetjake sipas ligjit. Këtij kontrolli i nënshtrohen edhe familjarët e afërt.

Kontrolli kryhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, një strukturë nën sqetullën e SPAK që kryen hetime për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Ky fakt duket se i ka bërë gjyqtarët e “Gjykatave të Posaçme” që t’i nënshtrohen SPAK-ut, duke mirtuar pothuajse çdo kërkesë të prokurorëve.

Por “noterizimi” i kërkesave të SPAK është kazmë në themelet e reformës në drejtësi, mbi të cilën u ngritën këto dy institucione. Gjykatat e Posaçme janë mbi palët, por nëse vetëm vënë firmën mbi kërkesat e prokurorëve, pa vënë në dyshim asgjë që sillet e shkruar prej tyre, gjasat janë që drejtësia e re të jetë më pak e drejtë se e vjetra.
Rasti i Enver Sheshit dhe Robert Shabanit do t’u mjaftonin gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme që jo vetëm t’i kalonin në lupë kërkesat e SPAK për të kryer detyrën e tyre kushtetuese, por edhe të rifitonin pavarësinë e tyre në raport me prokurorët e SPAK, të cilët, nga ana e tyre, kanë ende për të treguar jo vetëm që janë vërtet profesionalë, por edhe që nuk janë të ndikuar nga grupe të caktuara politike dhe influence.

Jo më kot një doktrinë ligjore amerikane thotë se, ” është më mirë të arratisen 10 persona fajtorë sesa të vuajë 1 i pafajshëm”.
Gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme padyshim që e dinë këtë.

  • Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.