Aplikacion
Ish-deputeti Kujtim Gjuzi ka reaguar pas një përplasjeje të ndodhur në ambientet e Hotel Tirana, ku sipas tij, është sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga Ilir Demaliaj.
Gjuzi tregon se ndodhej në një tavolinë me kryetaren e degës së Tropojës, Sanije Hajdarmataj, kur situata degjeneroi në fyerje dhe tentativa dhune.
“Isha me kryetaren e degës së Tropojës, Sanije Hajdarmataj, po diskutonim në tavolinën tonë. Hyn Demaliaj në holl dhe filloi me fyerje dhe sharje, me fjalë burrash që nuk thuhen në sy të një gruaje. Filloi të më fyejë, i thashë se unë jam në kafe me njerëz… më sulmoi, por u tërhoqa sepse nuk doja të merrja goditje”, deklaroi Gjuzi.
Ai shtoi se situata u përshkallëzua në prani të dëshmitarëve të tjerë dhe ndërhyrja e stafit të sigurisë së hotelit bëri që incidenti të mbyllej pa pasoja më të rënda.
“Doli dhe kryetarja përpara, ai nuk ndaloi, më pas ika në holl, ndërhynë badigardët e Hotel Tirana dhe çdo gjë u shua. Ishte tentativë për të grushtuar dhe sulmuar, por unë ruajta qetësinë”, përfundoi ai.