zoom

Aktualitet

GJKKO rikthen në burg Lefter Kokën për inceneratorin e Tiranës

GJKKO rikthen në burg Lefter Kokën për inceneratorin e Tiranës

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në kuadër të hetimeve dhe dënimit për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Vendimi u dha këtë të enjte nga trupa gjykuese e Apelit të GJKKO-së, duke ndryshuar situatën juridike të ish-ministrit. Sipas vendimit, Kokës i mbeten edhe gjashtë muaj për të vuajtur në burg.

Çështja lidhet me skandalin e inceneratorëve, një nga dosjet më të bujshme të korrupsionit në vend. Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për inceneratorin e Tiranës, ku disa prej të pandehurve u dënuan me burg.

Lefter Koka u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vite heqje lirie, ndërsa SPAK kishte kërkuar 4 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite, periudhë që u konsiderua e shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim.

Pas katër viteve në burg, që prej 14 dhjetorit 2021, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u la i lirë në dhjetor të 2025.

Gjyqtari Bib Ndreca arriti në përfundimin se afatet e paraburgimit për inceneratorin e Fierit ishin tejkaluar dhe Koka duhej të lirohej menjëherë.

Por më pas, SPAK depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shqyrtimin e vendimit dhe rikthimin e masës së sigurisë me burg për Kokën./ Zoom.al

Postime të lidhura