Aplikacion
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhet me kërkesën e paraqitur nga kryeministri Edi Rama për çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti i gjykimit kushtetues ka të bëjë me zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash mes Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave, konkretisht Belinda Ballukut. Në qëndrimin e saj, GJKKO vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në një proces kushtetues ku kërkues është Kryeministri.
Gjykata thekson se, në një shtet demokratik të së drejtës, të mbështetur në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të marrë pjesë si palë për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur vendime të dhëna prej saj. “Në vendimmarrje, gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe të aftë të veprojnë pa ndikim të papërshtatshëm, presione, kërcënime ose ndërhyrje, të drejtpërdrejta ose jo, nga kushdo dhe për çfarëdo arsye. Gjyqtarët duhet të kenë liri të plotë për t’i vendosur rastet me paanësi, në përputhje me ndërgjegjen dhe interpretimin e tyre për faktet dhe në zbatim të normave të së drejtës”, thekson GJKKO në arsyetimin e saj.
Më tej, gjykata rikujton se Gjykata Kushtetuese është shprehur se pushteti gjyqësor ushtrohet i shkallëzuar, sipas parimit të kontrollit të vendimeve të gjykatave më të ulëta nga gjykatat më të larta, duke nënvizuar se vendimet gjyqësore mund të kontrollohen vetëm nga një gjykatë më e lartë dhe jo nga ndonjë organ tjetër, për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një instancë superiore.
Në përfundim, GJKKO thekson se pjesëmarrja e saj si palë e interesuar në një proces kushtetues do të cenonte parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, si edhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit