Aplikacion
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar thellësisht mendimin në Gjermani.
Ushtria gjermane, Bundesëehr, kohët e fundit po nxit për një rritje masive të investimeve pasi Parlamenti votoi për të përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat strikte të borxhit.
Gjenerali i lartë i vendit i ka thënë BBC-së se rritja e parave është urgjentisht e nevojshme, sepse ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet në Ukrainë.
“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Jemi të kërcënuar nga Putin. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar atë”, ka thënë gjenerali Carsten Breuer.
Ai paralajmëroi se NATO-ja duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër vjetësh.
“Nuk ka të bëjë me sa kohë na duhet, ka të bëjë shumë më shumë me atë se sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur. Dhe sa më shpejt të jemi të përgatitur, aq më mirë”, ka thënë gjeneral Breuer.
Për dekada, njerëzit në këtë vend janë rritur me idenë për ta refuzuar fuqinë ushtarake, të vetëdijshëm për rolin e kaluar të Gjermanisë si agresore në Evropë.
“Ne filluam dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë jashtë konfliktit ende qëndron në ADN-në e shumë njerëzve”, shpjegon Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.
Kur bëhet fjalë për Rusinë, Gjermania ka pasur një qasje specifike.