Aplikacion
Reportazhi investigativ i Rai3 i ka kthyer edhe njëherë pasqyrat mbi qeverinë dhe veprimtaritë e saj. Siç ka kthyer në panelet televizive një shpurë speciale debatuesish për të cilët ngjyra 11 vjeçare e Rilindjes është roza e përjetshme e mrekullisë e cila, madje, mund të kërrehej me të kuqen e gjakut në sfondin e flamurit kombëtar.
Panelistët pro qeverisë janë si panelet diellore: ato nuk i përmbushin nevojat për energji, por e bëjnë Ramën dhe grupin e tij të mbajë ndezur kandilin e normalitetit kur çdo gjë përreth duket anormale.
Kaq të përshtatur janë me absurdin, sa e lexonin dhe paraqisnin si anormal reportazhin e Rai-t, një angazhim gazetaresk disa mujor, jo një bisedë në studio, dhe për më shumë një ilustrim i asaj që quhet ‘gazetari interpretative’ dhe që siguron, për një publik të drobitur nga bombardimi me informacion të përminutshëm, atë që mund të quhet “pikat mbi i”.
Janë këto pika që kanë rënë mbi të mbjellat e Rilindjes dhe kanë prishur jo vetëm hashashin, kullat, mrekullinë turistike, por sidomos globalizmin e liderit socialist, i cili demaskohet nga gazetarët italianë si asgjë më shumë se shitje e Shqipërisë, territor që i paguhet “prurësit më të parë”.
Vargani i të gjitha ngjyrave nga McGonigal te gjeneral Lisi, familja Bler, Massimo D’Alema e më këtej te të dyshuarit për narkotrafik apo ‘investitorët strategjikë’, janë një kujtesë e frikshme e frazës rilindëse ‘duam partinë më shumë se Shqipërinë”. Partia në këtë rast është organizata që lejon pasurimin individual dhe të grupit në kurriz të të tjerëve dhe Shqipërisë.
Përpjekja parodike për ta shmangur problemin, si nga qeveritarët ashtu dhe nga emërimet e tyre në panele dhe në shtyp, ngjan paradoksal, por nuk është i tillë.
Është instinkti i gjithkujt që, edhe kur e kupton se është në rrugë pa krye, nuk kthehet mbrapa por vijon. Të vijuarit është reagimi psikologjik i të humburit por edhe i davasë së humbur.
Asgjë s’e shpjegon këtë më mirë se episodi i kryeministrit me gazetarin Giorgio Motola. Një burrë te 2 metrat dukej më i shkurtër se një tjetër 1.70m.
Është hija që lëshon gjithkush trupi i të cilit rri mirë apo keq brenda lëkurës së vet.
Fërgëllimat që lëshonte Rama fizikisht ishin shenja parehatie dhe se hija e tij ishte rritur më shumë se duhet në territoret e së keqes.
Gazetari italian ishte pasqyra ku reflektohej kjo e vërtetë.
Faqja e kornizuar e gazetës Koha Jonë, me një ish-Edi të buhavitur nga dhuna, mbi të cilën iu qa Mottola-s, është kujtesa se Rama aktual kërkon ta shpjegojë ngjitjen e tij si shpërblim për dhunën e pësuar, por don të shmangë dhimbjen se dhuna që ka shkaktuar do të çojë edhe në rënie.
Psikologjikisht, fraza ‘nuk keni parë gjë akoma’ është shpagimi i tij për Edin e humbur të së dikurshmes që jeton thellë në atë foto të së shkuarës.
Fotografia si ‘gazetar’ e një kryeministri kaq të ekspozuar në marshe anti-gazetareske nuk shërben. E shumta shpjegon atë se Rama e sheh atdheun si ekspozitor gjigand të cilin e pikturon dhe e shet.
Një ikonoklast që shet ikona është megjithëmend një hata psikologjike.