Aplikacion
Gazetari italian, Sigfrido Ranucci ka reaguar pas atentatit që iu bë duke i vendosur eksploziv në makinë.
Hetuesit po verifikojnë praninë e kamerave të sigurisë që mund të kenë filmuar momentin kur mjeti është vendosur.
“Kam dëgjuar një shpërthim të tmerrshëm, ishte ora 22:17. Madje edhe karabinierët e kanë dëgjuar përmes audios së disa personave që ndodheshin në zonë dhe po regjistronin me telefon në atë moment”, deklaroi Ranucci.
Ranucci tha se ka një listë të gjatë kërcënimesh, që ka raportuar vazhdimisht te autoritetet. Ai shprehu se ngjarja e mbrëmshme përfaqëson një përshkallëzim serioz, duke kujtuar se vitin e kaluar kishte gjetur dy plumba pranë shtëpisë.
“Kam rindërtuar me karabinierët atë që ndodhi mbrëmë. Ka një listë të pafund kërcënimesh, të natyrave të ndryshme, për të cilat gjithmonë kam informuar autoritetet gjyqësore, dhe për të cilat ekipi im i sigurisë ka bërë raportime të vazhdueshme. Megjithatë, unë ndihem i qetë sepse shteti dhe institucionet më kanë qëndruar gjithmonë pranë. Ngjarja e mbrëmshme përfaqëson një përshkallëzim serioz, sepse ndodhi pikërisht përpara shtëpisë, aty ku edhe vitin e kaluar ishin gjetur plumba. Po kush e bëri? Është e pamundur të thuhet në këtë moment. Bëhet fjalë për një kontekst mjaft të gjerë dhe për këtë janë bërë disa sinjalizime muajt e fundit”, tha ai.
Gazetari ndodhet nën mbrojtje policore që nga viti 2014, për shkak të kërcënimeve me vdekje nga mafia.
Autoritetet po kontrollojnë kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët e ngjarjes. Ranucci ka marrë masa për përforcimin e sigurisë personale, duke lëvizur tashmë me makinë të blinduar./ Zoom.al