Aplikacion
Pas mbledhjes së Kryesisë, Sali Berisha deklaroi se PD do të marrë në konsideratë me seriozitet të plotë kandidatë të pavarur që kërkojnë mbështetjen e partisë për të fituar në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Deklarata u dha pas diskutimeve brenda strukturave drejtuese të PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se, pavarësisht se PD disponon kandidatura “kalibri” përballë qeverisë që e quajti “organizatë kriminale”, partia do të vlerësojë dhe do të çmojë kandidaturat e pavarura që konsiderohen të nevojshme për të siguruar fitoren.
Ai nënvizoi se kjo qasje mund të shtrihet jo vetëm për Tiranën, por edhe në bashkitë e tjera ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme.
“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së.
Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare.
Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera. Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur.”- tha Berisha në mbledhjen e kryesisë.