zoom

Aktualitet

Gara për drejtorin e RTSH/ Kandidati: Auron Tare më tha që fituesi është paracaktuar

Gara për drejtorin e RTSH/ Kandidati: Auron Tare më tha që fituesi është paracaktuar

Kandidati për drejtues të përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar, Jetmir Shpuza, ka reaguar me tone të forta pas zhvillimeve të fundit në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të institucionit, duke ngritur akuza të drejtpërdrejta për manipulim dhe ndërhyrje politike.

Në një deklaratë publike, Shpuza pohon se fituesi i garës është i paracaktuar dhe se këtë ia ka pohuar hapur edhe anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH, Auron Tare. “Sot pata dhjetëra telefonata që po ma konfirmojnë këtë. Dhe të gjithë thonë vetëm një emër,” shprehet ai.

Shpuza thekson se nuk ka hyrë në këtë garë për të justifikuar një proces formal apo për të qenë “koperturë” e një emri të vendosur më parë nga politika. Ai nënvizon se motivi i tij ka qenë pasioni dhe ambicia për transformimin e RTSH-së, si një institucion publik që duhet të jetë i pavarur dhe profesional.

“Shpresoj akoma, në njëfarë mase, te integriteti i këshilltarëve të KD të RTSH për të mos iu bindur urdhërave të marrë në vesh apo telefon,” thotë Shpuza, duke paralajmëruar se nëse procesi vijon në këtë mënyrë, do të konfirmohet se shkrirja e këshillit të mëparshëm kishte një qëllim të qartë politik.

Në përfundim, Shpuza ngre alarmin se ky zhvillim mund të paralajmërojë “ditë të këqija për RTSH-në”, duke lënë të nënkuptohet një përshkallëzim i ndikimit politik në median publike.

Postime të lidhura