zoom

Aktualitet

Gara për Drejtorin e ri të Policisë, katër emrat në tavolinën e Ramës

Gara për Drejtorin e ri të Policisë, katër emrat në tavolinën e Ramës

TIRANË – Java që sapo ka nisur pritet të jetë vendimtare për kupolën e Policisë së Shtetit. 

Komisioni i vlerësimit po mbyll skanimin e 16 kandidatëve, por burime të besueshme thanë për Zoom.al se gara është ngushtuar në katër emra kryesorë. Edhe pse zyrtarisht të gjithë janë në lojë, lobimet e forta dhe mbështetjet profesionale kanë krijuar një “katërshe” favoritësh që pritet të marrin dritën jeshile brenda pak ditësh.

Po teksa ligji imponon konkursin, burimet thanë për Zoom.al se fati i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është paracaktuar edhe këtë herë dhe është vendosur në godinën e Kryeministrisë përpara se të dalin rezultatet. 

Nga lista me 16 kandidatë, emrat që kanë mbërritur në tavolinën e Ramës janë reduktuar në katër. 

I pari është Tonin Vocaj, ish -drejtori i Policisë së Tiranës. I konsideruar si një nga veteranët e policisë, Tonin Vocaj shihet si kandidati me peshën më të madhe profesionale në këtë garë. Emri i tij shoqërohet me një lobim të fortë në prapaskenë nga qarqe që kërkojnë një dorë të fortë në drejtim. Përkrahësit e tij shohin te Vocaj figurën që mund të rikthejë autoritetin e uniformave blu, duke u mbështetur te karriera e tij e gjatë në hetimin e krimeve të rënda. Tonin Vocaj mbajtur poste kyçe si Drejtor i Policisë së Tiranës dhe Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, duke u konsideruar si një nga ekspertët më të vjetër të hetimit në vend.

Emri i dytë është Saimir Boshnjaku, ish -drejtori i kufirit. 

Ndryshe nga profilet që mbajnë mbi supe peshën e debateve publike, Saimir Boshnjaku po kuotohet lart si një kandidat që ofron stabilitet dhe paanësi. Ai shihet si një figurë e pastër dhe, mbi të gjitha, jashtë ndikimeve të medha të grupeve të interesit. Për ata që kërkojnë një drejtues teknik dhe të distancuar nga politika, Boshnjaku mbetet alternativa më solide. Aj ka shërbyer më parë si Drejtor i Policisë në Shkodër dhe në poste drejtuese në Policisë e Kufirit, i njohur për një profil teknik dhe larg polemikave.

I treti është Skënder Hita

Drejtuesi aktual i Policisë së Fierit, Skënder Hita, vjen në këtë garë me një CV që e portretizon si një profesionist korrekt dhe me rezultate në punën e tij. Hita gëzon mbështetje të gjerë brenda strukturave dhe vlerësohet si një figurë me integritet, çka e bën atë një rival shumë të fortë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm. Skënder Hita nga një karrierë e gjatë në terren, pasi ka drejtuar policitë  në Shkodër, Dibër e Durrës. 

 Emri i katërt që Rama ka në tavolinë është Elidon Çela. Megjithatë, kandidatura e tij shihet me skepticizëm, pasi konsiderohet si një produkt i shkollës së Ardi Veliut dhe mik i ish-drejtorit, Ilir Proda. Mbështetja e tyre për Çelën interpretohet si një tentativë për të mbajtur nën kontroll strukturat e vjetra, duke e bërë atë kandidatin e vazhdimësisë. Çela ka mbajtur pozicione drejtuese në strukturat e kufirit dhe migracionit dhe profili i tij u rrit në kohën e drejtimit të policisë nga Ardi Veliu.

Komisioni do të bëjë renditjen finale brenda pak ditësh, por fjala e fundit i takon Ministrit të Brendshëm Lamallari sa për formalitet dhe Kryeministrit, firma e të cilit pritet këtë javë. /Zoom.al 

Lisra e plotë e emrave sipas rendit alfabetik:

1. Afrim Tafa

2. Alfred Çepe

3. Arjanit Arapi

4. Ejona Gurbardhi

5. Elidon Çela

6. Gentian Berberi

7. Gentjan Shehaj

8. Idajet Faskaj

9. Lorenc Panganika

10. Neritan Nallbati

11. Pëllumb Seferi

12. Rebani Jaupi

13. Saimir Boshnjaku

14. Skënder Hita

15. Suela Sulkaj

16. Tonin Vocaj

Postime të lidhura