zoom

Sport

Futbolli në Brazil zhytet në kaos, Gjykatat shkarkojnë presidentin. FIFA kërcënon me përjashtim

Federata braziliane e futbollit është nën kërcënimin e pezullimit të FIFA-s për shkak të aferës rreth largimit të presidentit Ednaldo Rodrigues, shkruan “Associated Press”.

Me anë të një letre, FIFA paralajmëroi federatën për pasojat e mundshme nëse vendos të mbajë zgjedhje të parakohshme për pasardhësin e Rodrigues pasi një gjykatë në Rio de Zhaneiro e shkarkoi atë nga detyra më 7 dhjetor për parregullsi në zgjedhjen e tij vitin e kaluar dhe dy instanca të tjera mbështetën vendimin.

Organizata botërore  e futbollit dyshon për përfshirjen e qeverisë braziliane dhe palëve të treta në punën e federatës, e cila është rreptësisht e ndaluar nga rregullat e FIFA-s dhe subjekt i përjashtimit të ekipit kombëtar dhe klubeve braziliane nga garat ndërkombëtare.

FIFA-s nuk i pëlqen që kreu i gjykatës më të lartë sportive në Brazil është emëruar përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të reja presidenciale brenda 30 ditëve. Në letër, ata theksonin se do të formonin një komision për të diskutuar rastin më 8 janar dhe se zgjedhjet para këtij afati do të hapnin derën e pezullimit.

Mandati i Rodrigues u zgjat deri në vitin 2026 dhe mediat braziliane pohojnë se ai po mendon të kandidojë sërish për postin. Ai është personi që ka mbrojtur fuqimisht ardhjen e Karlo Ançelotit në krye të kombëtares braziliane duke nisur nga vera e ardhshme. /ZOOM.AL/